Dikur talleshin me njëri-tjetrin, senatori amerikan në bisedime për t’u bërë Sekretar Shteti në administratën Trump

Nga A2 CNN
12 Nëntor 2024, 09:36 | Bota

Dikur talleshin me njëri-tjetrin, senatori amerikan në bisedime

Senatori Marco Rubio i Floridës është në bisedime për t’u emëruar nga Donald Trump si Sekretar i Shtetit, megjithatë zgjedhja ende nuk është përfundimtare, raporton media amerikane CBS, duke cituar dy burime. Edhe pse ende nuk është e sigurt se Rubio do të nominohet për të shërbyer si kryediplomat i SHBA-së, ky duket destinacioni i radhës i rrugëtimit të tij politik.

Rubio ka një përvojë të gjerë në Senat, ku shërben si nënkryetar i Komitetit të Inteligjencës dhe anëtar i Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë. Ai njihet si një mbrojtës i fortë i politikës së jashtme ndaj Kinës dhe Iranit dhe është mbështetës i Ukrainës, por ka thënë se konflikti me Rusinë duhet “të përmbyllet”.

Trump dhe Rubio tani kanë marrëdhënie të mira, megjithëse nuk ka qenë gjithmonë kështu. Të dy kandiduan për president në 2016 dhe zhvilluan një rivalitet të ashpër, sidomos mbi çështje të emigracionit. Gjatë kësaj kohe, Trump e quajti senatorin “Marco i Vogël”, ndërsa Rubio talli “duart e vogla” të Trump-it.

Rubio, 53 vjeç, është djali i emigrantëve kubanë dhe është zgjedhur për herë të parë në Senat në vitin 2010. Ai është një figurë e rëndësishme në politikën republikane dhe ishte konsideruar si kandidat i mundshëm për zv/president për Romney në 2012 dhe për Trump në 2024. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos