“Disa fëmijë u vranë teksa lexonin Kuranin”, Izraeli sulmon shkollën në Gaza, 16 viktima

Nga A2 CNN
7 Korrik 2024, 08:03 | Bota

Një masakër e vërtetë ka ndodhur në Rripin e Gazës. Të paktën 16 persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur nga një sulm ajror izraelit në një shkollë në Rripin e Gazës, citojnë mediat ndërkombëtare. Në ndërtesë strehoheshin mijëra persona të zhvendosur në kampin e refugjatëve Nuseriat në Gazën Qendrore.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit thanë se goditën disa "terroristë që vepronin në strukturat e vendosura në zonën e shkollës". Ndërkohë, raportohet se 10 persona janë vrarë në një sulm të tjetër ajror në një kamp. Përpara se të godiste shkollën ushtria izraelite tha se mori "masa" për të minimizuar dëmin ndaj civilëve. Kështu raporton Times of Israel.

Sipas ushtrisë, ndërtesat brenda kompleksit shkollor u përdorën nga operativët e Hamasit si "strehë dhe si një infrastrukturë aktive operacionale, nga e cila u planifikuan dhe u kryen operacione terroriste kundër forcave tona operacionale në Rripin e Gazës".

Video nga skena e shkollës Nuseirat tregon të rriturit dhe fëmijët duke bërtitur në një rrugë të mbushur me tym të mbuluar me pluhur dhe rrënoja, ndërsa vrapojnë për të ndihmuar të plagosurit.

Dëshmitarët okularë i thanë BBC-së se sulmi kishte në shënjestër katet e sipërme të shkollës, e cila ndodhet pranë një tregu të frekuentuar.

Një grua i tha agjencisë së lajmeve AFP se si disa fëmijë u vranë teksa po lexonin Kuranin kur ndërtesa u godit. “Kjo është hera e katërt që ata synojnë shkollën pa paralajmërim”, tha ajo.

Hamasi tha se pesë gazetarë lokalë ishin në mesin e të vrarëve në sulmet izraelite të shtunën. Anëtarët e familjes së tyre thuhet se ishin gjithashtu në shënjestër.

Më shumë se 100 gazetarë kanë humbur jetën në Gaza që nga sulmet e 7 tetorit, sipas Reporterëve pa Kufi. Hamasi tha se pesë viktimat e fundit e çojnë numrin në 158.

Sakaq, drejtori i CIA-s William Burns do të jetë në Katar javën e ardhshme për negociata për lirimin e pengjeve dhe një armëpushim në Gaza. Burns do të takohet me kryeministrin e Katarit, drejtorin e Mossad-it dhe numrin një të shërbimit inteligjent egjiptian, citojnë mediat ndërkombëtare.

Por mediat izraelite besojnë se Hamasi do të përpiqet të kryejë një sulm të madh terrorist në javët e ardhshme në një përpjekje për të penguar përpjekjet për të përfunduar një marrëveshje armëpushimi me Izraelin në Rripin e Gazës.

Raporti saktëson se sulmi në fjalë mund të ndodhë në enklavën palestineze ose në Bregun Perëndimor. Sipas të njëjtit burim, të cituar nga media izraelite Channel 12, ndërmjetësit egjiptianë do të rrisin përfshirjen e tyre në negociatat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara dhe Katari.

Po ashtu, besohet se Izraeli ka bërë kërkesa të reja që mund të zgjasin bisedimet me Hamasin për një armëpushim në Rripin e Gazës dhe një marrëveshje pengjesh për të burgosurit.

Reuters citon se ka një shans real për të arritur marrëveshje. Kjo është në kontrast të fortë me rastet e kaluara, kur Izraeli ka përsëritur shpesh herë kushtet e bashkangjitura nga Hamasi ishin të papranueshme.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos