Franca një ditë para zgjedhjeve, përpjekja për të zvogëluar fitoren e Marin Le Pen

Nga A2 CNN
6 Korrik 2024, 14:29 | Bota

Njerëzit në marketin, Aligre në Paris ndajnë opinione të ndryshme në një ditë para raundit të dytë të zgjedhjeve parlamentare. Vinsenti thotë se është i shqetësuar rreth ngritjes se ekstremit të djathtë dhe efekteve të tij në fatet e vendit.

Edhe pse ende nuk mund ta ndajë se kush mund të fitojë në të vërtetë shumicën në rezultatin final ai thotë se është i shqetësuar për bllokimin institucional që mund të vijë pas tij.

Për Marie Helene që punon në sektorin e Kulturës Franca do të ndryshojë. “Kanë rënë disa barriera që i mbanin votuesit dhe gjuhën. Po gjej shumë pafytyrësi, shumë njerëz që flasin keq për të tjerët, sidomos për të huajt, për njerëz që nuk mendojnë si ata”, tha ajo.

Por ka prej tyre që nuk janë dhe aq pesimistë, si Habibi që punon si shitës. “Nuk shoh ndonjë problem të madh me të djathtën ekstreme”, tha ai duke qëndruar pas një stende frutash në zemër të marketit.

Habibi nuk shqetësohet pasi jeton me punë të ndershme dhe është i respektuar. “Unë e di nga vij. E dua dhe e adhuroj Francën, nëse nuk më duan më, lamtumirë, çfarë mund të them’’.

Një tjetër qytetare thekson se nëse shumica anon nga Tubimi Kombëtar do të thotë se është një realitet në Francë dhe se problemet duhet të adresohen. ‘’Unë nuk mendoj se ka 40% njerëz që janë racistë në Francë. Janë 40% e njerëz që mendojnë se nuk merren parasysh, problemet e tyre të përditshme nuk janë trajtuar dhe ne nuk i marrim parasysh, madje i përçmojmë''.

I gjithë spektri politik u bëri thirrje qytetarëve të votojnë masivisht të dielën për të ndikuar rezultatin në çdo mënyrë, pasi sondazhet parashikojnë se e djathta ekstreme do të jetë partia më e madhe, por jo me një shumicë absolute.

Partia e Tubimit Kombëtar e Marin Le Pen, euroskeptike dhe kundër emigracionit fitoi në raundin e parë, duke i dhënë mundësinë të djathtës ekstreme të kryesonte për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Por me një seri tërheqjesh taktike të kandidaturave nga partitë kryesore që synojnë të nxisin këdo që është në pozicionin më të mirë për të mposhtur të djathtën ekstreme, disa sondazhe kanë parashikuar një rënie në numrin e vendeve që Marin Le Pen mund të fitojë, duke e bërë arritjen e një shumicë absolute edhe më të vështirë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos