Rusia paralajmëroi valë të reja sulmesh sistematike në Kiev, disa ditë pasi ndërmori bombardimet më të rënda në kryeqytetin ukrainas që prej fillimit të luftës. Siç bëri të ditur Ministria ruse e Mbrojtjes në një deklaratë, sulmet e reja do të shënjestrojnë qendrat e vendimmarrjes dhe komandës, bashkë me fabrikat e prodhimit të dronëve.
Moska u ka bërë thirrje diplomatëve të huaj të largohen nga Kievi sa më shpejt që të jetë e mundur, dhe paralajmëroi qytetarët të qëndrojnë larg godinave administrative dhe ushtarake.
Ukraina tha se kërcënimet e Rusisë ishin asgjë më pak se një shantazh i paturp dhe u bëri thirrje aleatëve të rrisin presionin ndaj Moskës, shkruan A2 CNN. Me paralajmërimin drejtuar shtetasve të huaj, Moska po pranon në mënyrë të tërthortë se bombardimet e saj synojnë, ndër të tjera, të frikësojnë trupin e huaj diplomatik.
Sulmet ruse ndaj Kievit nuk kanë ndaluar për asnjë javë të vetme që prej fillimit të luftës dhe kërcënimi i sigurisë që vjen nga Moska mbetet i njëjtë si në muajt paraprakë.
Mbrëmjen e së hënës, ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov i bëri thirrje sekretarit amerikan të shtetit të evakuojë diplomatët amerikanë nga Kievi, gjatë një telefonate të zhvilluar me të. Pas telefonatës, Rubio tha se sulmet e mëdha, si nga Ukraina ashtu edhe nga Rusia, janë një kujtesë se kjo luftë e tmerrshme duhet të marrë fund. Ai shtoi se SHBA mbetet e gatshme dhe e përgatitur për të bërë gjithçka të nevojshme që lufta të përfundojë.
Shumë po i interpretojnë paralajmërimet e Rusisë ndaj shtetasve të huaj për t'u larguar nga Kievi si një formë e presionit psikologjik. Vala masive e bombardimeve mbrëmjen e së shtunës, ku u përdorën raketa kruz, balistike dhe ajo hipersonike Oreshnik, shkaktoi 4 viktima e mbi 100 të plagosur në Kiev e rrethina. Sulmi erdhi në kundërpërgjigje të goditjes së një konvikti studentor në Starobilsk nga Ukraina, ku mbetën të vrarë 21 persona sipas Moskës. (A2 Televizion)