“Çojmë luftën përtej rajonit!”, Irani reagon pas sulmit të SHBA, Rubio: Marrëveshja ende e mundur

Nga Rosalba Bejdo
26 Maj 2026, 10:45 | Bota

Shtetet e Bashkuara ndërmorën sulme të reja ushtarake në jug të Iranit, duke goditur sipas ushtrisë, site raketore dhe varka që po përpiqeshin të vendosnin mina.

Komanda Qendrore amerikane tha se sulmet ishin për vetëmbrojtje, dhe synonin të mbronin trupat nga kërcënimet që vijnë prej forcave iraniane. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara sugjerojnë se armëpushimi vijon të mbahet, duke theksuar se po tregonin vetëpërmbajtje.

Zyrtarët ushtarakë sqarojnë se në shënjestër ishte vënë një zonë pranë qytetit port Bandar Abbas në jug të Iranit, ku gjendet një bazë detare pranë ngushticës së Hormuzit. Irani reagoi përmes një zëdhënësi të lartë të forcave të armatosura, i cili paralajmëroi se çdo akt i ri agresioni ndaj Iranit do të marrë një përgjigje shumë më të ashpër që do të shtrihet përtej kufijve të rajonit.

Abolfazl Shekarchi, zëdhënës i Forcave të Armatosura, shprehet: “Sulmet tona do të jenë më të ashpra, më intensive dhe më të fuqishme. Përgjigjia jonë do të shtrihet përtej rajonit. Objektivi është përcaktuar tashmë dhe është gati. Nëse do të pengojnë eksportet tona, Irani do të pengojë naftën të largohet nga rajoni.”

Nuk është e qartë nëse sulmet e reja do të ndikojnë në përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje paqeje mes SHBA dhe Iranit. Pas aksionit të ri ushtarak, sekretari i Shtetit tha se një ujdi ishte ende e mundur, teksa e vuri theksin te bisedimet mes kryenegociatorit iranian dhe kryeministrit e ministrit të jashtëm të Katarit. Rubio shtoi se Ngushtica e Hormuzit do të hapej në një mënyrë apo tjetrën.

Ngushticat duhet të jenë të hapura. Do të mbeten të hapura, në një mënyrë apo në një tjetër. Ajo që po ndodh atje është e paligjshme, në kundërshtim me ligjin, dhe e papranueshme për botën. Nëse do të ketë një marrëveshje, do të duhet ta zgjidhim edhe këtë çështje. Por, siç e dini, ose do të ketë një marrëveshje të mirë, ose nuk do të ketë fare marrëveshje.”

Më herët, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Esmail Baqai tha se pavarësisht progresit të shënuar në bisedime për çështje të caktuara, marrëveshja nuk ishte e afërt. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos