Me mina në trupa dhe “skllevër” fronti, afrikanët që luftojnë për Rusinë kundër Ukrainës

Nga Xhevahir Qardaku
25 Maj 2026, 22:20 | Bota

Kjo video shqetësuese tregon një rekrut afrikan në ushtrinë ruse me një minë tokësore të lidhur në gjoks. Ai po urdhërohet të sulmojë pozicionet ukrainase në vijën e frontit. Një person që flet rusisht i drejton sharje raciste burrit, duke thënë se ai po përdoret si “hapës kanaçesh” për të çarë një bunker armik.

Po, e pashë. Është shumë traumatizuese. Francis është djali im”, tha Anne Njeri Ndarua, mamaja e Francis Ndarua.

CNN arriti të gjente nënën e ushtarit në Kenia. Ajo nuk ka mundur të kontaktojë me djalin e saj që nga tetori i vitit 2025, por së fundmi mori një tjetër video të tij nga një numër i panjohur kenian.

“Kini kujdes ju lutem, sepse njerëzit po dërgohen atje dhe përfundoni duke u futur në ushtri. Më pas ju çojnë në vijën e parë të betejës. Dhe aty ka vrasje të vërteta.”, tha Francis Ndarua.

Francis është një inxhinier elektrik i trajnuar, të cilit iu premtua një punë civile në Rusi, por familja e tij thotë se ai u detyrua të hynte në ushtrinë ruse dhe të dërgohej në vijën e frontit në Ukrainë.

Gazetari i CNN: “Sa zgjati trajnimi?”

“Tre javë”, thotë nëna e Francis.

Pra, me vetëm tre javë trajnim ushtarak, ai përfundoi në front. Gazetari pyet nëse kishte qenë ndonjëherë në polici apo ushtri në Kenia. Mamaja e tij përgjigjet disa herë: “Jo”. Ajo shton se nuk e di ku ndodhet djali i saj.

“Më thanë se është në Ukrainë, por nuk e di saktësisht nëse është ende atje apo jo.”

Francis është mes një numri në rritje burrash afrikanë që aktualisht luftojnë për Rusinë, megjithëse shifrat e sakta nuk dihen. Disa afrikanë në ushtrinë ruse e glamurizojnë jetën e tyre në rrjetet sociale, duke inkurajuar bashkatdhetarët të bashkohen.

“Për ju në Afrikë dhe Nigeri që doni të bashkoheni me ushtrinë ruse… Është shumë, shumë e lehtë dhe shumë mirë. Shkoni direkt”, thotë ky burrë nga Gana, i cili poston video duke kërcyer dhe mburret me sa para fiton.

Ai shton: “Rroga ime mund të ushqejë babanë tuaj, nënën tuaj, gjithë familjen tuaj për dy apo tre vite.” “Ku ndodhesh tani? Mund të thuash ku je?”

CNN foli me një duzinë luftëtarësh afrikanë që ndodhen aktualisht në vijën e frontit në Ukrainë. Ata përshkruan se si u detyruan të futeshin në një luftë vdekjeprurëse, përballeshin me racizëm nga komandantët rusë dhe nuk merrnin pagat. Shumë prej tyre thanë se u detyruan të firmosnin kontrata ushtarake në rusisht, pa avokatë apo përkthim. Pothuajse të gjithë i thanë CNN-it se ishin të dëshpëruar të largoheshin, por ndiheshin të bllokuar.

Patrick Koba është një nga të paktët me fat. Ai është kthyer në Nairobi pasi u arratis nga ushtria ruse. Ai ende mban copëza predhash në trup nga një sulm me dron ukrainas.

“Më goditi këtu poshtë, por çanta ime me ushqime më shpëtoi jetën. Nuk u dogja në shpinë falë jelekut antiplumb, por më shqeu pantallonat dhe më dogji të pasmet dhe këmbët.”

Patrick është marangoz dhe thotë se mori vetëm trajnim bazik ushtarak.

“I kërkova ndihmë të parë partnerit tim rus, por ai u bë armiqësor.”

Gazetari i CNN e pyet se pasi u godit nga droni dhe granata, i kërkoi ndihmë partnerit të tij, por ai e largoi.

“Ai donte të më vriste. M’u desh të ikja me vrap.”

Patrick iku drejt ambasadës keniane në Moskë gjatë lejes për t’u rikuperuar nga plagët.

“Pra, mënyra e vetme për t’u larguar është arratisja?”, pyet gazetari i CNN.

“Duhet të arratisesh ose vdes. Ka vetëm dy rrugë.”

CNN ka parë reklama, mesazhe dhe dokumente rekrutimi që synojnë luftëtarë të huaj. Ato u ofrojnë afrikanëve bonuse regjistrimi prej 13 mijë dollarësh, paga deri në 3 mijë e 500 dollarë në muaj dhe shtetësi ruse pas një viti.

“Po i gënjejnë njerëzit. Paratë që u thonë njerëzve se do t’u paguajnë, nuk janë të vërteta.”

I dëshpëruar për punë dhe me një fëmijë në pritje, fotografi Charles Njoki iu bashkua ushtrisë ruse duke shpresuar të shmangte luftimet direkte. Ai besonte se aftësitë e tij si operator droni do ta mbanin larg rrezikut. Por Charles thotë se u dërgua në vijën e frontit dhe u plagos nga një dron ukrainas. Ai thotë se ekipi i shpëtimit refuzoi të vinte, duke e detyruar të pinte urinën e tij për të mbijetuar.

Ai i thotë gazetarit të CNN se afrikanët po dërgoheshin qëllimisht në vijën e parë të frontit dhe se nuk i ka marrë paratë apo shtetësinë.

“Dhe tani jam këtu duke vuajtur. Kam një problem me shtyllën kurrizore tani. Kam një copë predhe që duhet ta heq.”

Rrjetet ruse të rekrutimit në Afrikë kanë kaluar në fshehtësi pas goditjeve të fundit nga autoritetet. Por pavarësisht dyshimeve në rritje mes vendasve, rekrutët vazhdojnë të regjistrohen. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos