Qeveria meksikane synon t'u kërkojë autoriteteve amerikane një pjesë të aseteve prej 15 miliardë dollarësh të bosit të drogës Ismael "Mayo" Zambada, të cilat do të konfiskohen, me qëllim që t'ua shpërndajë ato qytetarëve më të varfër të vendit.
Presidentja Claudia Sheinbaum tha të mërkurën se “nëse këto fonde do të rikuperoheshin nga qeveria amerikane, atëherë po, ne do të kërkonim që disa prej tyre t’i jepeshin Meksikës për të varfrit”.
Bashkëthemeluesi i kartelit të fuqishëm Sinaloa, i cili u kap nga autoritetet amerikane pranë kufirit në korrik 2024, u deklarua fajtor të hënën në një gjyq publik në Nju Jork.
“Mayo”, 77 vjeç, pritet të dënohet me burgim të përjetshëm dhe atij do t’i konfiskohen 15 miliardë dollarë nga pasuria e tij e madhe.
“Nëse këto fonde do të sekuestroheshin në Meksikë, sipas protokolleve kundër pastrimit të parave të dakordësuara midis ministrive të financave të të dy vendeve, ne gjithashtu do të kërkonim që këto fonde t’i ktheheshin Meksikës për të mirën e popullit të saj”, këmbënguli Sheinbaum.
Nga ana e tij, Ministri i Sigurisë Omar Garcia Harfus theksoi se nuk mund të flitet për eliminimin e kartelit Sinaloa, pavarësisht rënies së Zamada dhe bashkëthemeluesit tjetër të tij, Joaquín "El Chapo" Guzmán, i cili vuan një dënim me burgim të përjetshëm në Shtetet e Bashkuara që nga viti 2019.
"Karteli nuk mund të konsiderohet i çorganizuar, sepse ka udhëheqës të ndryshëm dhe ka ende qeliza kriminale dhe udhëheqës të rëndësishëm të tij që duhet të arrestohen", shpjegoi Harfus. (A2 Televizion)