Rusia dhe Ukraina kanë shkëmbyer nga 270 të burgosur secila, në kuadër të marrëveshjes së fundit për shkëmbimin e të burgosurve të luftës, pas bisedimeve me negociatorët amerikanë në fillim të kësaj jave.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, bëri të ditur se mes personave që po kthehen në Ukrainë janë edhe nëntë civilë. Sipas tij, shumica e ushtarakëve të liruar mbaheshin në robëri që prej vitit 2022, kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës.
“Ne kujtojmë secilin prej tyre dhe vazhdojmë të kërkojmë për të gjithë”, deklaroi Zelensky në një postim në rrjetin social X.
Mes të liruarve janë edhe pesë të mbijetuar të sulmit në Olenivka, në korrik të vitit 2022, ku dhjetëra të burgosur ukrainas humbën jetën. Ukraina ka akuzuar Rusinë për krime lufte lidhur me këtë ngjarje, ndërsa Moska ka pretenduar se sulmi u krye nga pala ukrainase.
Ndërkohë, komisionerja ruse për të drejtat e njeriut, Yana Lantratova, deklaroi se Ukraina i kishte dorëzuar Rusisë shtatë civilë, të cilët tashmë mund të ribashkohen me familjet e tyre.
Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se ushtarakët rusë të liruar ndodheshin në Bjellorusi, ku do të merrnin ndihmë psikologjike dhe mjekësore përpara se të transportoheshin drejt Rusisë. (A2 Televizion)