Një thirrje online për një “paralizë” totale të Francës më 10 shtator po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje në rrjetet sociale dhe më gjerë, duke krijuar asocime me shpërthimin e papritur të lëvizjes “Jelekverdhët” në vitin 2018.
Slogani “Ne e bllokojmë vendin” duket se po gjen terren jo vetëm midis përdoruesve të internetit, por edhe midis një pjese të botës politike dhe sindikaliste.
Kjo lëvizje do të nxjerrë francezët në rrugë dhe sheshe më 10 shtator, dy ditë pas seancës vendimtare për të ardhmen politike të qeverisë franceze, Seancës Plenare në Asamblenë Kombëtare Franceze, së cilës François Bayrou i është drejtuar zyrtarisht, duke kërkuar një votëbesim, me qëllim miratimin e buxhetit të vitit 2026.
Ku filloi iniciativa?
Përmendja e parë publike u shfaq në një video në TikTok nga llogaria Les Essentiels, një grup me orientim nacionalist dhe anti-evropian. Mesazhi fliste për një "karantinë politike" dhe shumë shpejt evoluoi në sloganin qendror: "Franca duhet të ndalet më 10 shtator". Më pas, të tjerë e pranuan thirrjen, ku rrjeti Indignons-nous, i cili vepron kryesisht përmes platformës Telegram, ishte ai dominues.
Kush e mbështet lëvizjen?
Sindikata e “Jelekëve të verdhë” ka deklaruar hapur mbështetjen e saj, duke njoftuar veprime që filluan më 26 gusht. Në arenën politike, La France unsoumise e Jean-Luc Mélenchon po i bashkohet thirrjes, duke gjetur mbështetje nga Ekologisti.
Në të kundërt, e djathta ekstreme franceze po mban distancë, megjithëse një pjesë e konsiderueshme e votuesve të saj janë pozitivë për pjesëmarrje. Sindikatat kryesore po e trajtojnë mobilizimin me kujdes, me përjashtim të CGT, e cila ka deklaruar se është një “hap i parë” i mundshëm për një kundërsulm të përgjithësuar shoqëror.
Kërkesat
Ashtu si në të kaluarën me “jelekët e verdhë”, kërkesat tani duken të shpërndara dhe shumështresore. Essentielët madje po bëjnë thirrje për largimin e Presidentit Emmanuel Macron, ndërsa propozojnë një “grevë kartash” (në thelb asnjë transaksion përmes bankave për 24 orë) dhe një ndalim të transaksioneve elektronike.
Për më tepër, në “thelbin” e retorikës së tyre është plani i kursimeve prej 44 miliardë eurosh i prezantuar së fundmi nga François Bayrou, i cili parashikon shkurtime në paga, pensione, shërbime shëndetësore dhe përfitime sociale, si dhe heqjen e festave zyrtare.
Në rrjetet sociale, postimet janë shumëfishuar javët e fundit, duke denoncuar, ndër të tjera, përdorimin e shpeshtë të Nenit 49.3 nga qeveria dhe duke përmbledhur me sloganin: “Këtë herë, ne vendosim”.
Kush janë “Essentiels” dhe kush qëndron pas tyre?
Sipas një hetimi të kohëve të fundit nga kanali më i madh privat në Francë (TF1), thirrja nëpërmjet Telegram u nis më 21 maj 2025 nga një grup kolektiv në pjesën veriore të Francës i quajtur Essentiels, themelimi i të cilit i atribuohet Julien Marissiaux. Bërthama e lëvizjes karakterizohet nga një orientim i fortë nacionalist dhe anti-evropian, mbështet ndërprerjen e rrugës evropiane të vendit (Frexit), ndërsa shoqërohet me qëndrime që lëvizin në fusha margjinale dhe shpesh konspirative.
Më konkretisht, kërkesa të tilla si autonomia franceze përmenden si një kundërpeshë ndaj politikave të imponuara dhe teknokratike evropiane. Përveç kësaj, organizata është e lidhur me propagandën nga figura të tilla si Francis Lalanne dhe Idriss Aberhkane, të cilët kanë qenë pionierë të qarqeve dezinformuese, gjë që përforcon retorikën e saj më afër rrjeteve konfliktuale dhe përjashtuese.
Julien Marissiaux, i cili sipas të gjitha hetimeve franceze duket të jetë udhëheqësi i “Les Essentiels”, ka qenë nën mikroskopin e autoriteteve franceze për disa vite pa u sjellë kurrë para drejtësisë.
Vetë Marissiaux, kur u pyet së fundmi nga gazetarët në lidhje me lëvizjen e 10 shtatorit, refuzoi të përgjigjej, megjithatë, ai kishte vendosur kornizën e "rezistencës me karakter krijues" që nga fillimi dhe gjithashtu i atribuohet slogani për 10 shtatorin.
Sipas La Dépêche, lëvizja u themelua në Francën verilindore me Marissiaux si udhëheqës, brenda kornizës së kërkesave për sovranitet kombëtar duke përfshirë tërheqjen nga BE-ja, mbështetjen për bizneset e vogla dhe promovimin e sfondit kulturor të krishterë. (A2 Televizion)