Macron: Të shtënat pranë Parisit ishin “sulm terrorist racist”, 1 i vrarë dhe 5 të plagosur

Nga A2 CNN
23 Tetor 2026, 21:01 | Bota

Macron: Të shtënat pranë Parisit ishin “sulm terrorist

Presidenti francez, Emmanuel Macron, e ka cilësuar si një “sulm terrorist racist” ngjarjen e rëndë me armë zjarri në periferi të Parisit, ku një person humbi jetën dhe pesë të tjerë mbetën të plagosur. I dyshuari për sulmin është arrestuar, ndërsa autoritetet po hetojnë motivet e ngjarjes.

Të shtënat ndodhën të premten, fillimisht në qytetin Trappes dhe më pas në komunat përreth, përfshirë La Verrière. Sipas autoriteteve, sulmi zgjati rreth 15 minuta dhe mes të plagosurve është edhe një vajzë 12-vjeçare. Tre persona ndodhen në gjendje të rëndë.

Macron e cilësoi ngjarjen si një moment të rëndësishëm për Republikën franceze, duke theksuar se akte të tilla nuk kanë vend në Francë.

Sipas kryetarit të bashkisë së Trappes, Ali Rabeh, autori i dyshuar lëvizte me një automjet tip “Renault Clio” në ngjyrë gri dhe qëllonte ndaj personave që ndeshte gjatë rrugës.

Të shtënat u raportuan në disa zona, përfshirë një pikë karburanti, një qendër mjekësore dhe një kënd lojërash për fëmijë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos