Matt Gaetz do të jetë Prokurori i ri i Përgjitshëm në SHBA. Kandidatura e zgjedhur nga Donald Trump ka marrë kritika të forta nga ana e demokratëve për shkak të akuzave për ngacmim seksual në të kaluarën.
Për Trump, Gaetz do t’i japë fund organizatave kriminale: “Matt do të mbrojë kufijtë tanë, do të çmontojë organizatat kriminale dhe do të rivendosë besimin e shkatërruar keq të amerikanëve në Departamentin e Drejtësisë”.
Zgjedhja e një kongresmeni 42-vjeçar, i cili nuk ka punuar kurrë në Departamentin e Drejtësisë apo si prokuror në asnjë nivel qeverisjeje, ishte i fundit në një valë nominimesh nga Trump të kandidatëve me përvojë të pakët, shkruan A2 CNN.
Gaetz dha dorëheqjen nga Dhoma e Përfaqësuesve të mërkurën. Njoftimi u dha nga kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson.
“Na kapi pak në befasi”, tha Johnson për dorëheqjen, duke shtuar se Gaetz dha dorëheqjen për të filluar shpejt procesin e emërimit të një zëvendësuesi të tij në Dhomën e Përfaqësuesve. Gaetz luajti një rol të rëndësishëm në rrëzimin e ish-kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, në vitin 2023. Emërimi i tij si Prokuror i Përgjithshëm u prit me skepticizëm të menjëhershëm nga disa republikanë të Senatit, që ka fuqinë për të konfirmuar ose mohuar emërimin e tij.
Kongresmeni nga Florida, i zgjedhur për herë të parë në vitin 2016, mbetet nën hetim nga Komiteti i Etikës i Dhomës së Përfaqësuesve mbi akuzat për sjellje të pahijshme seksuale, përdorim të paligjshëm të drogës dhe përpjekje të mundshme për të penguar hetimin. Gaetz i ka mohuar pretendimet. Demokratët e lartë të Senatit në Komitetin Gjyqësor po i bëjnë thirrje Komitetit të Etikës së Dhomës së Përfaqësuesve që të publikojë gjetjet e tyre për Matt Gaetz pas vendimit të Presidentit të zgjedhur Donald Trump për të zgjedhur ish-ligjvënësin republikan nga Florida për Prokuror të Përgjithshëm. (A2 Televizion)