“Do të ishte fantastike që Irlanda të bashkohej”, Trump shkakton “tërmet” në Dublin me deklaratën e papritur

Nga Rosalba Bejdo
12 Shtator 2026, 19:16 | Bota

“Do të më pëlqente shumë të shihja një Irlandë të Bashkuar, dhe kjo mund të ndodhë që tani”. Ishte kjo deklarata e papritur që presidenti amerikan Donald Trump bëri në nisje të vizitës në Dublin, ku  duket se mbështeti idenë e ndryshimit të statusit kushtetues të Irlandës së Veriut dhe bashkimit të saj me Republikën e Irlandës.

Pas takimit me kryeministrin irlandez Micheál Martin, Trump tha se bashkimi do të ishte, sipas tij, “një gjë fantastike”, edhe pse pranoi se Britania e Madhe do të kishte një rol në këtë çështje. Komenti shkaktoi reagimin e fortë nga qeveria britanike dhe Irlanda e Veriut. 

Lideri i Partisë Demokratike Unioniste, Gavin Robinson, e kundërshtoi deklaratën, duke thënë se e ardhmja kushtetuese e Irlandës së Veriut duhet të vendoset nga vetë banorët e saj dhe jo nga Uashingtoni, Londra apo Dublini.

Sipas Marrëveshjes së vitit 1998, një referendum për  shkëputjen e Irlandës së Veriut nga Mbretëria e Bashkuar mund të thirret vetëm nga qeveria britanike. Kjo e fundit ka deklaruar se një referendum i tillë aktualisht nuk është në axhendë. Irlanda e Veriut mbetet pjesë e Mbretërisë së Bashkuar, ndërsa çështja e bashkimit me Republikën e Irlandës vazhdon të jetë një nga temat më të ndjeshme politike në ishull.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos