Java e katërt e Kategorisë Superiore mbyllet këtë te dielë me dy ndeshje mjaft interesante. Vllaznia nuk ka gjetur ende fitoren e parë në këtë sezon. Ekipi shkodran ka treguar një formë të mirë, por shpesh saktësia para portës ka munguar.
Kjo javë i përballë me Laçin, një skuadër e re në moshë, por që ka treguar se di të rivalizojë dhe ekipet e mëdha. Në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes ishte kapiteni shkodran, Erdenis Gurishta që theksoi se skuadra në çdo ndeshje zbret në fushë për tre pikë.
Padiskutim që ndaj Laçit është një sfidë shumë e vështirë, duke pasur parasysh që edhe Laçi vjen pas humbjes në shtëpi me Durrësin, ne vijmë pas humbjes në shtëpi ndaj Partizanit. Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. E dimë që Laçi është një ekip shumë i fortë sidomos në shtëpinë e vetë. Ne do bëjmë çmos që të tentojmë maksimumin.
30-vjeçari u ndal dhe një herë te bërryli në duelin ndaj Egnatias sezonin e kaluar, që sipas tij vendosi titullin kampion
Ndeshja do të shkonte 1 me 1 do kishte rrjedhë tjetër. Përsëri vitin tjetër me Egnatian në gjysmëfinale, do ishim ne në finale me Elbasanin, do e merrnim ne ose Elbasani. Si rrjedhojë e gabimit të arbitrave, Egantia përfitoi dhe doli kampione.
Ishim afër, duhet të vazhdojmë të besojmë. Herët a vonë, Vllaznia do e marrë atë që meriton. Është shumë për Vllazninë të jetë gjithë këto vite pa një titull kampion. Vllaznia në këto vitet e fundit e ka merituar të dalë kampion. Ishim shumë afër. Unë shpresoj që shumë shpejt Vllaznia ta marrë titullin kampion.
Në fund Gurishta bëri një komente dhe për lojtarin e kombëtares Elseid Hysajt, i cili prej javësh po stërvitet me Vllazninë.
Ne jemi në kontakt për ditë me Elseid Hysajn, është një djalë i shkëlqyer. I uroj më të mirën, është duke u stërvitur me ne për një periudhë jo të vogël. Ai po pret disa lëvizje nga jashtë. Me sa kam informacion dhe komunikim, besoj se shumë shpejt do të zyrtarizohet jashtë. Ai ka mundësi që të luajë në nivele të larta. S’besoj se do të jetë diçka për në Shqipëri.
Dueli në mbrëmje rezervon emocione të mëdha. Kampionët në fuqi të Egnatias udhëtojnë në Elbasan me synimin për të marrë fitoren e radhës. Verdheblutë e Ivan Gvozdenovic nuk po kalojnë formën më të mirë ndonëse përballë rrogozhinasve kanë mundësinë për të bërë kthesën. Aktualisht Egnatia është i vetmi ekip që pas 3 javëve të para, mbetet e pamposhtur, me 3 fitore dhe 9 pikë të plota.
(A2 Televizion)