Me thirrjet “UÇK” dhe “Kosova po ju pret”, mijëra vetë mbushën sheshet e Prishtinës në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.
I ashtuquajturi “Marshi për Lirinë” u mbajt vetëm 4 ditë para shpalljes së vendimit përfundimtar në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Një skenë ku u mbajtën fjalime dhe performanca u ngrit në sheshin Skënderbeu, ndërsa një ekran i madh shfaqte numërimin mbrapsht drejt 16 shtatorit. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të partive politike, veteranë të luftës në Kosovë, familjarë të të akuzuarve dhe të dëshmorëve të luftës.
Gjatë fjalimit, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, tha se veteranët dhe familjet e tyre kërkojnë një proces të drejtë dhe të paanshëm.
Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, deklaroi se vendimi i 16 shtatorit nuk do të pranohet nëse është “i padrejtë”.
Ndërsa kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, tha para tij se katër ish-krerët e UÇK-së kishin luftuar për lirinë e Kosovës dhe se tani ka ardhur koha që atyre t’u shprehej mirënjohje.
Në organizim nuk morën pjesë përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, që megjithatë, përmes një komunikate për media, qeveria falënderoi organizatorët e marshit dhe pjesëmarrësit. (A2 Televizion)