Irani dhe Emiratet zbusin tonet, pranojnë të shmangin përshkallëzimin e luftës në Samitin e BRICS

Nga Rosalba Bejdo
12 Shtator 2026, 19:24 | Bota

Irani dhe Emiratet zbusin tonet, pranojnë të shmangin

Irani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë dhënë një sinjal të rëndësishëm diplomatik në kuadër të samitit të BRICS-it në Nju Delhi.

Të dyja vendet iu bashkuan një deklarate të përbashkët që bën thirrje për përmbajtje maksimale dhe shmangie të veprimeve që mund të përshkallëzojnë më tej luftën në Lindjen e Mesme.

Në të njëjtën ditë, presidenti iranian Masoud Pezeshkian u takua me Princin e Kurorës së Abu Dhabit, në takimin më të nivelit të lartë mes dy vendeve që nga fillimi i konfliktit.

Në fokus ishin ulja e tensioneve, stabiliteti, paqja dhe zhvillimi rajonal. Takimi vjen në një periudhë të tensionuar, pasi Irani ka ndërmarrë disa sulme ndaj Emirateve, përfshirë sulmin e fundit ndaj bazës ajrore Al Minhad, ku ndodheshin forca amerikane.

Në deklaratën e BRICS-it kërkohet mbrojtja e civilëve, respektimi i sovranitetit dhe integritetit territorial të shteteve, si dhe garantimi i tregtisë globale, furnizimeve energjetike dhe sigurisë detare.

Përfshirja e Iranit dhe Emirateve në një qëndrim të përbashkët shihet si një hap diplomatik pozitiv, megjithëse ende nuk ka një marrëveshje konkrete mes dy vendeve.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos