Përhapja e luftës në Liban, midis Izraelit dhe Hezbollahut është më se e mundur. Kjo është bërë e ditur nga Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian gjatë një takimi në Luksenburg.
Përfaqësuesi i Lartë i BE, Joesph Borrell, shprehu shqetësimin e tij se lufta midis Izraelit dhe Hezbollahut mund të jetë shumë e afërt.
Fatkeqësisht mendon Borrell, ndodhemi në prag të një lufte të zgjeruar.
"Jo, jam më i shqetësuar. Shumë më i shqetësuar. Shumë më tepër. Çdo ditë kriza po përhapet. Çdo ditë ka më shumë bombardime në të dy anët e kufirit në Liban. Mendoj se fatkeqësisht jemi në prag të luftës duke u zgjeruar".
Të njëjtin shqetësim ka shprehur edhe Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, e cila madje paralajmëroi një vizitë në Liban, pasi sipas saj, një përshkallëzim i luftës me Izraelin do të ishte një katastrofë.
“Armëpushimi është më urgjent se kurrë dhe në këtë kontekst po udhëtoj sërish në rajon dhe në Liban sepse situata në të ashtuquajturën Linjë Blu në veri të Izraelit është më se shqetësuese. Një përshkallëzim i mëtejshëm do të ishte një katastrofë për të gjithë në rajon, prandaj është kaq e rëndësishme që më në fund të arrijmë një armëpushim në Gaza”.
Afrimin e luftës me Hezbollahun, organizatën militante të financuar nga Irani e ka paralajmëruar, Ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Yoav Gallant.
Kalimi në fazën 3 të fushatës ushtarake në Gaza, sipas tij, përfshin humbjen e batalioneve të fundit të Hamasit në Rafah.
Ajo "do të ndikojë në zhvillimet në të gjitha frontet e tjera, por Izraeli po përgatitet për çdo skenar, ushtarak dhe diplomatik".
Gallant ripohoi "angazhimin e tij për të ndryshuar situatën e sigurisë në kufirin" me Libanin.
Sakaq, një investigim i medias britanike, The Telegraph, ka shkaktuar një alarm në rajonin e Lindjes së Mesme, pasi pretendon se Hezbollahu, po grumbullon një sasi të madhe armësh, raketash dhe eksplozivësh iranianë pranë Aeroportit Ndërkombëtar të Bejrutit.
Informacioni, i marrë nga burime të brendshme në aeroport, citon Telegraph, tregon se organizata e konsideruar terroriste nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara posedon "raketa artilerie Falaq, raketa me rreze të shkurtër veprimi, raketa balistike me rreze veprimi mbi 200 milje dhe raketa antitank të drejtuara me lazer. (A2 Televizion)