Familja e një burri të moshuar indonezian që vdiq gjatë Haxhit të këtij viti është e lumtur që ai u varros në qytetin e shenjtë të Mekës, ndërsa kombi i Azisë Juglindore mban zi për qindra qytetarë që humbën jetën nga vapa ekstreme gjatë pelegrinazhit vjetor islamik.
Më shumë se 1300 njerëz vdiqën në Haxhin e këtij viti për shkak të nxehtësisë ekstreme, sipas autoriteteve të Arabisë Saudite. Ndërsa autoritetet në Indonezi, vendi më i populluar në botë me shumicë myslimane, thanë se të paktën 215 indonezianë janë në mesin e të vdekurve.
Duke folur për CNN, Heru Jumartiyah tha se babai i saj 86-vjeçar, Ngatijo Wongso Sentono, vdiq më 17 qershor në juglindje të Mekës, teksa priste për lutjet e mesditës. “Ai ishte në gjumë dhe nuk kishte simptoma të sëmundjes më parë. Të gjithë thanë se ishte i shëndetshëm gjatë procesionit të Haxhit. Babai im ishte shumë entuziast për të shkuar në Haxh. Ne jemi të lumtur që ai u varros në Mekë”, thotë ajo.
Kryerja e Haxhit është një nga pesë shtyllat e Islamit, e cila kërkon që çdo mysliman që është i aftë fizikisht dhe financiarisht të bëjë udhëtimin për në qytetin e shenjtë të Mekës, të paktën një herë në jetën e tij. Sipas besimit islam, të vdesësh dhe të varrosesh në Mekë konsiderohet të jetë një bekim.
(A2 Televizion)