"Doktrina Donroe"- Politika e re e jashtme e Trump

Nga A2 CNN
6 Janar 2026, 22:33 | Bota

"Doktrina Donroe"- Politika e re e jashtme e Trump

Pas sulmit ndaj Venezuelës, Trump e konsideron hapur mundësinë e ndërmarrjes së veprimeve të mëtejshme në "oborrin e pasmë" të SHBA-së. Pas kësaj qëndron "Doktrina Donroe", një riinterpretim i një strategjie të vjetër.

Suksesi të hap oreksin. I inkurajuar nga aksioni rrufe i SHBA në Venezuelë,Presidenti Donald Trump po e konsideron hapur mundësinë e operacioneve të mëtejshme, siç deklaroi të dielën gjatë fluturimit të tij nga Florida për në Uashington: "Kolumbia është gjithashtu shumë e sëmurë dhe qeveriset nga një njeri i sëmurë, që i pëlqen të prodhojë kokainë dhe ta shesë atë në Shtetet e Bashkuara," tha republikani. "Dhe ai nuk do ta bëjë këtë më për shumë kohë."

Një gazetare e pyet: a do të thotë kjo një veprim ushtarak të mëtejshëm? "Tingëllon mirë," i përgjigjet Trumpi. Me shumë gjasa do të duhet të "bëhet" diçka edhe për Meksikën, megjithësi ai e vlerëson Presidenten e vendit. Sepse Meksika kontrollohet nga kartelet e drogës.

Dhe pastaj është Groenlanda. Me anije ruse dhe kineze kudo, Groenlanda është e nevojshme qoftë edhe vetëm për arsye të sigurisë kombëtare, sipas Trumpit, aq më tepër që danezët nuk janë në gjendje ta përballojnë këtë kërcënim:

"A e dinit që Danimarka së fundmi ka forcuar sigurinë në Groenlandë? Angazhuan një slitë tjetër me qenë. Është e vërtetë! E konsideruan vendim të shkëlqyer".

"Ne do të riafirmojmë dhe zbatojmë Doktrinën Monroe"

Që prej Venezuelës, Trumpi dhe anëtarë të qeverisë së tij po thonë hapur se si dëshiron të veprojë SHBA-ja në të ardhmen në pjesën e saj të botës. Sekretari i Shtetit Marco Rubio: "Kjo është Hemisfera Perëndimore, këtu jetojmë ne, dhe nuk do të lejojmë që Hemisfera Perëndimore të bëhet një bazë operacionesh për kundërshtarët, konkurrentët dhe rivalët e Amerikës."

Kjo do të thotë seShtetet e Bashkuara nuk lejojnë më që shtetet e tjera sovrane në rajon të vendosin vetë me cilat vende dhe kompani të mbajnë marrëdhënie dhe të bëjnë biznes. Kjo përcaktohet në Strategjinë e re të Sigurisë Kombëtare. Në faqen 15, thuhet: "Pas viteve të moszbatimit, Shtetet e Bashkuara do të rikonfirmojnë dhe zbatojnë Doktrinën Monroe për të rivendosur primatin amerikan në Hemisferën Perëndimore."

Kjo doktrinë u formulua më shumë se 200 vjet më parë nga Presidenti James Monroe. Që atëherë, ajo ndalonte çdo ndërhyrje të fuqive evropiane në Amerikën Latine. Duke iu referuar emrit të parë të Trumpit, mediat tani e quajnë politikën e re të jashtme të SHBA-së "Doktrina Donroe", dhe vetë Trumpi tashmë e ka përdorur këtë term.

Hegseth: "Është mjaft e mrekullueshme"

Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, gjithashtu iu referua dje Doktrinës Monroe para një grupi rekrutësh të ushtrisë: "Ka pasur amerikanë që e kanë zbatuar Doktrinën Monroe që në vitin 1823," tha ai.

"Ja ku jemi tani, në vitin 2026, dhe Presidenti Trump po rivendos dominancën dhe frenimin në hemisferën tonë. Ju do të jeni pjesë e kësaj trashëgimie. Është mjaft e mrekullueshme." Kishte kaluar shumë kohë që politikanët amerikanë nuk e kishin përdorin fjalën "dominim" aq shpesh sa e kanë përdorur në ditët e fundit.

Në fund të kapitullit për Hemisferën Perëndimore, Strategjia Kombëtare e Sigurisë përfundon me këtë fjali: "Ne duhet të bëjmë gjithçka të mundshme për të imponuar largimin e kompanive të huaja që realizojnë projekte infrastrukturore në rajon." Duket se, për shembull, kompanitë ndërtimore evropiane që operojnë në Amerikën Latine mund të kenë probleme me administratën Trump./ DW (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos