“Donim të vrisnim xhihadistët”, Izraeli eliminon pesë gazetarë palestinezë

Nga Erjon Dervishi
26 Dhjetor 2024, 15:34 | Bota

Autoritetet e Gazës kanë bërë me dije se një sulm ajror izraelit vrau pesë gazetarë palestinezë jashtë një spitali të enjten. Mjekët palestinezë bëjnë me dije se pesë personat ishin në mesin e të paktën 21 personave të vrarë në sulmet ajrore izraelite nëpër enklavën palestineze para agimit. Nga ana e tij, ushtria izraelite e justifikoi se kishte sulmuar një automjet që mbante militantë të Xhihadit Islamik. Mediat palestineze dhe reporterët lokalë thanë se automjeti ishte i shënjuar si një furgon i cili mbante pajisje mjekësore dhe ishte përdorur nga gazetarët për të raportuar nga brenda spitalit dhe kampit Nuseirat. Gazetarët punonin për kanalin televiziv Al-Quds.

Që nga sulmi i Hamasit, ushtria izraelite ka ndërmarrë veprime masive në Rripin e Gazës. Sipas informacioneve të fundit nga autoriteti shëndetësor i kontrolluar nga Hamasi në territorin palestinez, më shumë se 45,360 njerëz janë vrarë tashmë. Ky informacion nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur, por OKB-ja e konsideron atë të besueshëm.

Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, më shumë se 130 gazetarë palestinezë janë vrarë që nga fillimi i luftës në Gaza. Izraeli nuk i lejon gazetarët e huaj në Rripin e Gazës, me përjashtim të turneve të rastit për shtyp në zonë të organizuar nga ushtria. Dhjetëra të afërm dhe kolegë gazetarë morën pjesë në funeralin e pesë gazetarëve, trupat e të cilëve ishin mbështjellë me çarçaf të bardhë. Mbi trupat e mbuluar me qefin ishin vendosur xhaketa blu që mbanin fjalën "PRESS".

Hamasi dhe Izraeli kanë fajësuar njëri-tjetrin për dështimin e tyre për të përfunduar një marrëveshje armëpushimi pavarësisht progresit të raportuar nga të dyja palët në ditët e kaluara. Hamasi tha se Izraeli kishte vendosur kushte të mëtejshme, ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu akuzoi grupin për kthim prapa në mirëkuptimet e arritura tashmë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos