Drejt një ‘bote shumëpolare’ dhe zgjerim i bashkëpunimit Kinë-Rusi? Putin dhe Xi shpallin thellim të aleancës

Nga A2 CNN
20 Maj 2026, 17:28 | Bota

Drejt një ‘bote shumëpolare’ dhe zgjerim i
Presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti kinez Xi Jinping kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët pas takimit të tyre në Pekin, ku theksohet vizioni i përbashkët për një “botë shumëpolare” dhe forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve.

Sipas deklaratave zyrtare të publikuara nga Moska dhe Pekini, të dy liderët kanë rënë dakord të thellojnë bashkëpunimin në fusha të ndryshme, përfshirë ekonominë, energjinë, arsimin, shkencën dhe mediat. Marrëdhëniet mes dy vendeve janë përshkruar si të paprecedenta dhe në zhvillim të vazhdueshëm, raporton Aljazeera, përcjell A2CNN. 

Një nga pikat kryesore të diskutimit ka qenë ideja e një rendi të ri ndërkombëtar, ku fuqia globale nuk përqendrohet te një shtet i vetëm, por shpërndahet mes disa qendrave ndikimi. Si Putin ashtu edhe Xi kanë kritikuar hegjemoninë unipolare dhe kanë theksuar nevojën për një sistem më të balancuar ndërkombëtar.

Në planin ekonomik, u nënshkruan rreth 40 marrëveshje bashkëpunimi. Tregtia mes dy vendeve ka arritur rreth 240 miliardë dollarë vitin e kaluar, ndërsa pjesa më e madhe e transaksioneve po kryhet në rubla dhe juan, duke reduktuar varësinë nga dollari amerikan.

Në sektorin e energjisë, u diskutua edhe projekti i tubacionit “Siberia 2”, i cili pritet të rrisë ndjeshëm eksportet e gazit rus drejt Kinës përmes Mongolisë, megjithëse detajet përfundimtare ende nuk janë finalizuar.

Gjithashtu, dy vendet kanë shpallur vitin aktual si “vit të arsimit”, me fokus në rritjen e shkëmbimeve studentore dhe bashkëpunimin mes universiteteve dhe institucioneve kërkimore.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos