Drejtësia në SHBA publikon 3 milionë dokumente për çështjen Epstein, përmenden Trump, Gates dhe Musk

Nga A2 CNN
31 Janar 2026, 09:10 | Bota

Drejtësia në SHBA publikon 3 milionë dokumente për

Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka publikuar rreth 3 milionë dokumente të reja lidhur me financierin e ndjerë Jeffrey Epstein, të dënuar për krime seksuale. Në volumin më të madh të zbardhur ndonjëherë përfshihen 180 mijë imazhe dhe 2 mijë video. Publikimi vjen gjashtë javë pasi u tejkalua afati ligjor i miratuar nga presidenti Donald Trump për transparencë të plotë mbi këtë çështje.

Sipas zëvendësprokurorit të përgjithshëm Todd Blanche, procesi synon informimin e publikut dhe respektimin e ligjit. Dosjet përfshijnë raporte psikologjike, të dhëna mbi vdekjen e Epstein në burg dhe hetime ndaj bashkëpunëtores së tij Ghislaine Maxëell, shkruan A2 CNN. Në dokumente gjenden edhe email-e me figura të njohura publike, përfshirë anëtarë të familjes mbretërore britanike dhe politikanë të lartë.

Disa prej tyre zbulojnë kontakte me Princin Andrew dhe ish-bashkëshorten e tij Sarah Ferguson, pa prova për vepra penale. Dokumentet përmendin gjithashtu presidentin Donald Trump qindra herë, por autoritetet theksojnë se pretendimet ndaj tij janë të pabazuara. Mes korrespondencave shfaqen edhe emaile me miliarderin Elon Musk dhe referenca për Bill Gates, të cilat janë mohuar nga përfaqësuesit e tyre. Avokatja Gloria Allred ka kritikuar publikimin për ekspozimin e identitetit të disa viktimave, duke e quajtur procesin të papërgjegjshëm.

Ndërkohë, demokratët në Kongres thonë se miliona dokumente të tjera mund të jenë ende të papublikuara. Autoritetet amerikane pranojnë se publikimi nuk i jep përgjigje të gjitha dyshimeve, por deklarojnë se hetimet zyrtare për abuzues të tjerë nuk kanë sjellë prova të mjaftueshme për ndjekje penale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos