Dy net e vetme në mes të oqeanit, shpëtohet kinezja në Japoni

Nga A2 CNN
11 Korrik 2024, 14:49 | Bota

Dy net e vetme në mes të oqeanit, shpëtohet kinezja në

Një ngjarje e pazakontë, e denjë për skenarin e një filmi, ka ndodhur pranë plazhit Shirahama Ohama në Japoni. Një vajzë 21-vjeçare nga Kina ishte shpallur e zhdukur dhe vetëm pas 36 orësh, ajo është gjetur në oqean, rreth 80 kilometra nga bregu.

“The Guardian” shkruan se ishte shoqja e 21-vjeçares, e cila kishte ngritur alarmin për zhdukjen e saj.

“Ishte ora 19:55 e datës 8 korrik kur morëm informacionin nga shoqja e vajzës”, tha një zyrtar lokal i rojes bregdetare japoneze. Menjëherë, autoritetet japoneze nisën kërkimet, por 21-vjeçarja u gjet vetëm mëngjesin e datës 10 korrik. Anëtarët e bordit të një anije tregtare vunë re 21-vjeçaren në ujë, ndërsa më pas ishin dy anëtarë të ekuipazhit të një anije të vogël cisternë, të cilët u zhytën dhe arritën të shpëtojnë vajzën. Ajo iu rrëfeu atyre se kishte qenë duke notuar, por më pas ishte tërhequr nga rrymat duke u larguar nga bregu me shpejtësi.

21-vjeçarja kaloi dy net në ujërat e oqeanit e vetme, fatmirësisht me jelekun e shpëtimit, përpara se të lokalizohej dhe të shpëtohej. Një zyrtar ka thënë se ajo është gjetur rreth 80 kilometra në vijë të drejtë nga bregu, por mendohet se mund të ketë qenë larguar edhe më shumë.

Ajo u dërgua në spital, por për fatin e saj të mirë nuk ishte aspak e nevojshme pasi ishte e kthjellët dhe jo e dehidratuar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos