Kina i bën thirrje NATO-s që të ndalojë atë që e konsideron, “nxitje të një përballjeje ushtarake”. Kështu i është përgjigjur Pekini akuzave të forta të aleancës perëndimore se vendi komunist po furnizon Rusinë me pajisje që mundësojnë prodhimin e armëve që përdoren në Ukrainë.
“NATO duhet të ndalojë së përdoruri të frazën ‘kërcënimi kinez’, duhet të ndalojë së nxituri përballjen e drejtpërdrejtë dhe rivalitetin mes nesh”, lexohet në një deklaratë të lëshuar nga misioni i Kinës në Bashkimin Europian.
Më tej theksohet se NATO duhet të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin në botë. “Fjalët plot me retorikë lufte, provokime, gënjeshtra dhe nxitje konflikti, tregojnë një mentalitet të luftës së ftohtë”, lexohet në komunikatë. Kina sinjalizon mes tjerash se NATO ka ndikuar në shpërthimin e luftës në Ukrainë, mendim të cilin e ndan dhe Rusia. (A2 Televizion)