“E kapëm pilotin”, Irani kërcënon Trump: I tërë rajoni do jetë ferr për ju

Nga Erjon Dervishi
5 Prill 2026, 09:05 | Bota

Zyrtarët ushtarakë iranianë paralajmëruan Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin se do përballen me ndëshkimin e "ferrit" nëse konflikti zgjerohet, duke iu përgjigjur një kërcënimi të bërë nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump. Trump kërcënoi se do të lëshojë "të gjithë Ferrin" mbi Iranin nëse nuk arrin një marrëveshje për të hapur Ngushticën e Hormuzit deri të hënën.

Gjeneralmajor Ali Abdollahi Aliabadi, komandanti i Shtabit Qendror Khatam al-Anbiya të Iranit në Teheran, paralajmëroi se "portat e ferrit do të hapen mbi ju" nëse infrastruktura e Iranit vazhdon të sulmohet, raportoi të shtunën agjencia e lajmeve Mehr e sponsorizuar nga qeveria.

"Mos harroni: nëse armiqësitë zgjerohen, i gjithë rajoni do të bëhet ferr për ju. Iluzioni i mposhtjes së Republikës Islamike të Iranit është shndërruar në një kënetë që do t'ju përfshijë", tha Ebrahim Zolfaghari, zëdhënësi i selisë qendrore.

Më herët, Trump u tha udhëheqësve iranianë se "koha po mbaron" për të rihapur Ngushticën e Hormuzit. "Mbani mend kur i dhashë Iranit dhjetë ditë për të BËRË NJË MARRËVESHJE ose për të HAPUR NGUSHTICËN E HORMUZIT. Koha po mbaron - 48 orë para se i gjithë Ferri të mbretërojë mbi ta", shkroi ai në mediat sociale. Trump kishte kërcënuar se do të shënjestronte objektet e energjisë iraniane nëse Teherani nuk e rihap rrugën vendimtare të transportit detar deri në afatin e tij të 6 prillit.

Sakaq bëhet e ditur se Kuvajti u sulmua përsëri me dronë dhe raketa gjatë së të dielës. Mbrojtja ajrore u vendos për t'iu përgjigjur kërcënimit të paraqitur nga raketat dhe dronët armik, deklaroi ushtria kuvajtiane në X.  Sipas Ministrisë së Financave të Kuvajtit, një kompleks qeveritar u dëmtua "ndjeshëm" në një sulm me dron iranian në kryeqytetin, Kuvajt City, të shtunën në mbrëmje. Ndërtesa strehon disa ministri. Punonjësit po punojnë nga shtëpia dhe vizitat në kompleks janë pezulluar.

Nga ana tjetër, Emiratet e Bashkuara Arabe janë sulmuar nga dronë iranianë. Ministria e Mbrojtjes tha se mbrojtja e saj ajrore iu përgjigj sulmeve me raketa dhe dronë, ndërsa Irani pretendoi se kishte në shënjestër "industritë e aluminit" të vendit të Gjirit. "Ushtria iraniane", raportoi agjencia zyrtare e lajmeve IRNA, "tha se kishte në shënjestër 'industritë e aluminit në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe infrastrukturën ushtarake amerikane në Kuvajt'".

Ndërkohë bëhet e ditur se SHBA-të shpëtuan një pilot të zhdukur nga një nga dy avionët luftarakë të rrëzuar në Iran, thanë dy zyrtarë amerikanë. Piloti ishte anëtari i dytë i një ekuipazhi prej dy personash të një avioni F-15 që Irani tha të premten se u rrëzua nga mbrojtja e tij ajrore. Reuters raportoi të premten se anëtari i parë i ekuipazhit ishte rikuperuar.

"E kapëm", shkroi Trump me shkronja kapitale në platformën e tij Truth Social. Ai e përshkroi atë si një nga operacionet më të guximshme të kërkim-shpëtimit të ndërmarra ndonjëherë nga ushtria amerikane. Dhjetëra avionë luftarakë u përfshinë, tha ai. Ushtari u plagos, por do të ishte mirë, shkroi Trump. Sipas raporteve të shumta të medias, piloti i avionit luftarak, i cili u rrëzua të premten, ishte shpëtuar tashmë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos