Rusia nisi një breshëri raketash dhe dronësh të mërkurën në mbrëmje, duke dëmtuar shtëpi dhe infrastrukturë tregtare në Kiev, Odesë dhe Zaporizhzhia.
Administrata Ushtarake e Qytetit të Kievit njoftoi përmes një deklarate në Telegram se sulmi goditi infrastrukturën civile në më shumë se 10 vendndodhje, përfshirë magazina, një ndërtesë zyrash, ndërtesa banimi dhe automjete. Të paktën 18 persona u plagosën në Kiev, mes të cilëve një vajzë 10-vjeçare dhe një djalë 12-vjeçar, bënë të ditur autoritetet vendase.
"Armiku nuk ndalet së sulmuari kryeqytetin," tha kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, në Telegram.
Forcat Ajrore të Ukrainës njoftuan se Rusia lëshoi 157 dronë dhe një kombinim raketash balistike e lundruese. Sistemet e mbrojtjes ajrore rrëzuan ose neutralizuan 131 objektiva, por goditjet prekën gjithsesi 36 vendndodhje, ndërsa mbetjet e raketave ranë në pesë të tjera.
Ato konfirmuan gjithashtu Zaporizhzhia-n si një nga objektivat kryesore të sulmit, krahas Kievit dhe Odesës; në këto zona u plagosën tre persona, përfshirë një fëmijë, dhe u dëmtua një ndërtesë banimi.
Nga ana e saj, Ukraina sulmoi një rafineri në qytetin rus të Jaroslavlit, 250 kilometra në veri të Moskës, dhe një aeroport ushtarak në rajonin jugor të Rostov-mbi-Don.
Autoritetet lokale dhe mediat e pavarura ruse raportuan se u rrëzuan 65 dronë dhe nuk u raportuan viktima ose të lënduar, por "dëme u shkaktuan në një rafineri", ku shpërtheu një zjarr, por u shua më vonë. Rafineria Slavneft-YANOS është shënjestruar nga forcat ukrainase në disa raste. (A2 Televizion)