Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kërcënuar Bashkimin Europian me një embargo tregtare nëse ajo ndjek një partneritet më të ngushtë me Kanadanë. Reagimi vjen pas vendimit të Bashkimit Europian për të afruar Kanadanë me Unionin
"Mendoj se është qesharake. Shikoni, e gjithë çështja me Kanadanë... Kanadaja ka qenë një partner tregtar i tmerrshëm. Dhe, jo, nuk e shoh një gjë të tillë. Por nëse ata e bëjnë këtë, nëse e konsideroj si një akt armiqësor, do të vendos tarifa shumë të rrepta ose do të ndërpres tregtinë me Evropën për shumë gjëra. Pra, nëse e bëjnë këtë... nëse Evropa vepron me qëllim të keq sepse nëse qëllimi është i mirë, atëherë në rregull, por nëse qëllimi është i keq, ne do të vendosim tarifa shumë të larta ndaj Evropës."
Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, duke folur në Parlamentin Evropian në Strasburg në prani të Kryeministrit Kanadez Mark Carney, tha se BE-ja dëshironte të "çonte marrëdhëniet e saj me Kanadanë në nivelin më të lartë të mundshëm". Ajo shtoi se ajo dhe Carney do të punonin që "Kanadaja të bëhej anëtarja e parë e asociuar e BE-së".
Presidentja e Komisionit nuk dha detaje se si mund të duket një anëtarësim i tillë në terma konkretë. Megjithatë, ajo njoftoi, ndër të tjera, një aleancë teknologjike dhe një bashkëpunim më të ngushtë në industrinë e mbrojtjes midis Kanadasë dhe BE-së. Partneriteti "nuk është i drejtuar kundër të tjerëve", por përkundrazi ka për qëllim "t'i bëjë Kanadanë dhe BE-në më të forta së bashku", theksoi von der Leyen.
Ashtu si BE-ja, Kanadaja po vuan nga politika e paparashikueshme tregtare dhe e jashtme e SHBA-së nën drejtimin e Presidentit Trump. Një shumicë e madhe e popullsisë favorizon lidhje më të ngushta midis Kanadasë dhe Evropës. (A2 Televizion)