Deputetja e PS-së, Klodiana Spahiu, do të drejtojë Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, pas dorëheqjes së Evis Salës. Vendimin për të rikthyer në krye të institucionit një emër politik, Edi Rama e lajmëroi në takimin e zgjeruar të grupit parlamentar.
Klodiana Spahiu është deputete në Kuvendin e Shqipërisë që prej vitit 2009, shkruan a2 CNN. U nevojit mandati i pestë si e zgjedhur e PS-së për të fituar besimin e Edi Ramës për ta marrë në kabinetin e tij qeveritar.
Ajo ka qenë anëtare në disa komisione parlamentare dhe aktualisht është nënkryetare e Kuvendit.
Përveçse deputete, ajo ka ushtruar edhe profesionin e saj si mjeke në Durrës dhe në QSUT. 53-vjeçarja socialiste mban titullin “Doktore e Shkencave Mjekësore”.
Me këtë ndryshim në qeveri, Rama tregoi që, në vitin e dytë të mandatit të katërt, po kthen sytë sërish nga deputetët me eksperiencë brenda grupit të tij parlamentar, për t’i afruar si bashkëpunëtorë në qeveri.
Klodiana Spahiu do të jetë ministrja e pestë në këto 13 vite në pushtet të PS-së që do të drejtojë Ministrinë e Shëndetësisë, pasi të dekretohet nga Presidenti dhe më pas të votohet në Parlament. (A2 Televizion)