Pentagoni ka publikuar dhjetëra dokumente të deklasifikuara mbi UFO-t dhe fenomenet ajrore të paidentifikuara, pas një urdhri të Presidentit amerikan Donald Trump. Administrata amerikane e cilësoi këtë veprim si një hap drejt transparencës së plotë, ndërsa premtoi se publikime të tjera do të pasojnë në javët e ardhshme.
Dosjet përfshijnë raporte që datojnë nga viti 1947 për të ashtuquajturat “disqe fluturuese”, fotografi të paqarta të marra gjatë misioneve Apollo në Hënë, si dhe dëshmi pilotësh ushtarakë që pretendojnë se kanë parë objekte me lëvizje të pazakonta në qiell.
Por ekspertët mbeten skeptikë. Analisti i fenomeneve ajrore, Mick West, tha se shumë prej videove të publikuara janë parë edhe më parë dhe nuk provojnë asgjë të jashtëzakonshme. Sipas tij, shumica e objekteve të filmuara mund të shpjegohen me balona, iluzione optike ose gabime perceptimi nga pilotët.
Shumë nga dosjet që kemi janë dosje të vjetra, dosje të vjetra të FBI-së që janë publikuar vite më parë, madje disa datojnë nga vitet ’40 dhe ’50. Ndërsa videot, për të cilat isha më i interesuar, nuk janë aspak interesante. Videot i kanë të gjitha informacionet e mbuluara në ekran. Kemi kuti të zeza që mbulojnë numrat që do të na tregonin se çfarë po ndodh realisht në video. Dhe gjithçka që shohim janë pika të vogla të bardha që lëvizin në ekran. Nuk mund t’i identifikojmë sepse janë shumë të vogla. Fatkeqësisht, videot nuk janë aq interesante.
Publikimi i dosjeve ka ndezur debat të madh në SHBA. Disa kritikë pretendojnë se çështja po përdoret për të larguar vëmendjen nga problemet politike dhe tensionet ndërkombëtare, ndërsa të tjerë kërkojnë që qeveria amerikane të publikojë materiale edhe më sensitive në të ardhmen. Megjithatë, pavarësisht skepticizmit, misteri mbi UFO-t vazhdon të mbetet një nga temat më të debatuara në opinionin publik amerikan. (A2 Televizion)