Emocionohet Kim Jong Un, përqafon me lot në sy ushtarët e kthyer nga lufta në Ukrainë

Nga A2 CNN
22 Gusht 2025, 16:55 | Bota

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, është parë duke përqafuar ushtarë të emocionuar që janë kthyer në atdhe pas pjesëmarrjes në luftën në Ukrainë në krah të forcave ruse. Në një ceremoni madhështore në Penian, Kim u shfaq duke ngushëlluar familjet e ushtarëve të rënë dhe duke shpërndarë medalje e lule pranë portreteve të tyre, shkruan A2 CNN.

Sipas Agjencisë Qendrore të Lajmeve të Koresë (KCNA), Kim shprehu dhimbjen për humbjet e mëdha të trupave koreane. “Zemra më dhemb dhe më mbushet me hidhërim kur shoh se këta njerëz fisnikë, që dhanë jetën për fitoren dhe lavdinë e madhe, i takoj vetëm përmes fotove në murin përkujtimor”, tha ai.

Emocionohet Kim Jong Un, përqafon me lot në sy ushtarët e kthyer

Në 12 muajt e fundit, ndërsa marrëdhëniet mes Koresë së Veriut dhe Rusisë janë forcuar ndjeshëm, Peniani ka dërguar mijëra trupa dhe armatime në Ukrainë. Raportimet nga Ministria Britanike e Mbrojtjes tregojnë se nga 11 mijë trupa koreano-veriore të vendosura në rajonin e Kurskut, rreth 6 mijë janë vrarë ose plagosur. Pamjet nga fronti kanë treguar ushtarë koreano-veriorë duke vrapuar nën breshërinë e plumbave dhe bombave, shpesh duke pësuar humbje të rënda.

Gjatë ceremonisë, Kim Jong Un u gjunjëzua para murit përkujtimor ku ishin vendosur fotografitë dhe emrat e ushtarëve të rënë me shkronja të arta. Ai tha se ata që mbijetuan janë për t’u admiruar për guximin e treguar në atë që e cilësoi “luftë jete a vdekje në një vend të huaj”. Pas homazheve, ai organizoi edhe një banket për të festuar kthimin e ushtarëve.

Emocionohet Kim Jong Un, përqafon me lot në sy ushtarët e kthyer

Mediat shtetërore theksuan se ceremonia kishte për qëllim të ndante “dhimbjen e humbjes” dhe të rrite moralin e trupave. Analistë nga Koreja e Jugut e lidhën këtë gjest emocional të Kim-it me përpjekjet për të justifikuar dërgimin e trupave dhe për të treguar solidaritet me familjet e viktimave.

Ndërkohë, bashkëpunimi mes Phenianit dhe Moskës po zgjerohet. Inteligjenca ukrainase ka paralajmëruar se Koreja e Veriut mund të trefishojë numrin e trupave në Rusi, duke dërguar deri në 30 mijë ushtarë të tjerë në muajt e ardhshëm. Presidenti rus Vladimir Putin ka lavdëruar ushtarët koreano-veriorë si “heroikë”, duke theksuar lidhjet e forta mes dy vendeve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos