Erdogan e cilëson "budallallëk" progresraportin e BE: Turqia nuk ka ambicie për territoret e fqinjëve

Nga A2 CNN
5 Nëntor 2025, 14:32 | Bota

Erdogan e cilëson "budallallëk" progresraportin e BE: Turqia

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan, gjatë takimit javor të grupit parlamentar të AKP-së, ka kritikuar progresraportin e Komisionit Europian pë Turqinë, duke e cilësuar si “budallallëk”.

Duke u ndalur në veçanti tek pjesa ku Ankaraja kritikohet për qëndrimet ndaj fqinjëve, referuar Greqisë dhe Qipros, Erdogan tha se Turqia i respekton të drejtat sovrane të të gjitha vendeve mike, veçanërisht të fqinjëve.

Sipas Erdogan Turqia nuk kërkon të zgjerojë sovranitetin e saj në vende të tjera dhe nuk ka ambicie për territoret apo burimet natyrore të shteteve të tjera. Duke iu referuar marrëdhënieve të Ankarasë me fqinjët e saj, Erdogan theksoi rëndësinë e ruajtjes së sovranitetit dhe të drejtës ndërkombëtare, veçanërisht në lidhje me vendimet e fundit të parlamentit turk për të zgjeruar misionet ushtarake në Siri dhe Irak.

“Ne nuk kërkojmë territorin, sovranitetin, burimet nëntokësore dhe sipërfaqësore të një vendi tjetër në asnjë rrethanë. Ne respektojmë të drejtat sovrane të të gjitha vendeve mike, veçanërisht fqinjëve tanë. Forcat turke kanë qenë garantuese të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në të gjitha rajonet ku janë vendosur, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare", tha Erdogan.

Duke vazhduar, ai theksoi se forcat e armatosura turke do të vazhdojnë të mbrojnë paqen dhe vëllazërinë në të gjitha rajonet ku ndodhen.

“Flamuri turk do të vazhdojë të frymëzojë besim tek miqtë e tij në çdo rajon që valëvitet. Askush nuk duhet ta dyshojë këtë. Të gjithë vëllezërit tanë, qofshin arabë, kurdë, sunitë apo shiitë, janë të vetëdijshëm për këtë realitet historik. Në vend që të kundërshtojnë praninë e trupave turke në territorin e tyre, ata janë të lumtur për këtë", tha presidenti turk.

Raporti i BE-së për Turqinë

Kujtohet se Komisioni Evropian, në raportin e tij të fundit të progresit për Turqinë, regjistroi shqetësime serioze në lidhje me progresin e vendit në aspektin e sundimit të ligjit dhe të drejtave themelore të njeriut, ndërsa Turqia përgjigjet me zemërim, duke i karakterizuar përfundimet evropiane si të pabaza dhe të anshme.

Pavarësisht marrëdhënieve të rëndësishme ekonomike dhe përpjekjeve për të bashkëpunuar në Mesdheun Lindor, negociatat e pranimit të Turqisë mbeten të bllokuara.

Në veçanti, raporti i progresit theksoi "pengesat shqetësuese" të Turqisë në fushën e sundimit të ligjit dhe të drejtave themelore, me referencë të veçantë ndaj shtypjes së vazhdueshme të kundërshtarëve politikë dhe gazetarëve, si dhe akuzave të ngritura kundër zyrtarëve të zgjedhur dhe figurave të opozitës.

BE-ja denoncoi përkeqësimin e vazhdueshëm të demokracisë dhe tërheqjen nga vlerat thelbësore të Unionit, të cilat janë një pjesë integrale e marrëdhënieve me Turqinë.

Raporti i BE-së pranoi përmirësimin në marrëdhëniet Greqi-Turqi dhe zhvillimet pozitive në komunikim dhe dialog midis dy vendeve, pas "Deklaratës së Athinës" të dhjetorit 2023. Megjithatë, raporti nënvizoi se mosmarrëveshja e vazhdueshme mbi shelfin kontinental dhe zonat detare mbetet një pengesë e rëndësishme për marrëdhëniet dypalëshe.

Veçanërisht, siç vunë në dukje autorët e raportit, Turqia vazhdon të sfidojë të drejtat sovrane të Greqisë, duke ngritur kundërshtime ndaj krijimit të parqeve detare nga Greqia. Raporti gjithashtu iu referua shkeljeve të vazhdueshme të hapësirës ajrore dhe ujërave territoriale greke, duke vënë në dukje incidente në rritje krahasuar me vitet e kaluara.

Përfshirja e doktrinës "Atdheu Blu" në tekstet shkollore turke është gjithashtu një "shkak për shqetësim" sipas BE-së. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos