“Serbia po rikthehet te qasjet e Millosheviçit”, Loli: I frikshëm armatimi i Beogradit

Nga A2 CNN
12 Tetor 2026, 21:19 | Politikë

Deklaratat e Aleksandar Vuçiç që shqiptarët janë armiq të Serbisë dhe së fundmi ajo e ministrit të jashtëm serb Ivica Daçiç, i cili tha se Kosova është toka e tyre, për ekspertin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Egon Loli tregojnë që Serbia po i rikthehet qasjes së vjetër nacionaliste të Millosheviçit.

“Unë do të qëndroja tek deklarata e Vuçiçit më duket më interesante nga pikëpamja e pozicionimit gjeostrategjik të Serbisë përmes këtyre zgjedhje interesante. Deklarata e tij që shqiptarët janë armiq të Serbisë u përmend aty, krahas deklaratës së së Daçiçit. Kjo deklaratë u bë në datën 5 tetor. 5 tetori është 26-vjetori i rrëzimit nga pushteti të Milosheviçit dhe shënon një pikë shumë të fortë dhe shumë domethënëse të tranzicionit të Serbisë nga periudha e nacionalizmit, i cili shkaktoi ato që shkaktoi luftëra ballkanike në rajonin tonë drejt një periudhe ku Serbia konsiderohet më e nënshtruar ndaj faktorit ndërkombëtar, më e bindur ndaj faktorit ndërkombëtarë. Dhe deklarata e Vuçiç tregon që Serbia mund të jetë duke ju rikthyer, qasjes së vjetër nacionaliste”, tha në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN, eksperti Egon Loli.

Ai ngriti pikëpyetje nëse këto deklarata janë bërë për retorikë elektorale në kushtet e zgjedhjeve dhe protestave studentore në Serbi.

“Tani a është kjo substanciale, a është ky kthim substancial? A po e bën Vuçiçi këtë për retorikë elektorale? A ka një mundësi që Serbia, në ripozicionimin e madh midis Bashkimit Europian si partneri kryesor tregtar ekonomik, Shteteve të Bashkuara, Kinës dhe Rusisë, Serbia ta ketë shumë të vështirë ta mbajë më këtë ekuilibër, tani e tutje edhe për shkak të protestave studentore prej një viti e gjysmë atje dhe të detyrohet që për të thithur elektorat dhe për të mbajtur pushtetin t'i rikthehet armëve të vjetra. Nuk e di. Mundet që të jetë dhe kjo një alternativë”, u shpreh në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN, eksperti Egon Loli.

Shqetësimi kryesor, sipas tij nuk lidhet vetëm me deklaratat publike, por me armatimin e Beogradit dhe ripozicionimin afatgjatë të Serbisë në raport me BE, SHBA, Kinë e Rusi.

“Më shumë sesa thjesht një deklaratë e Daçiçit, apo një deklaratë e Vuçiçit si kjo që sapo thashë unë shqetësuese është pozicionimi i afatgjatë, ripozicionimi i afatgjatë i Serbisë. Pra ato bazat e rrotull kufirit, ato që përmendje, armët, ato armët nga Kina, raketat nga Kina, armët nga Franca, rifillimi i dialogut, pra qasja ndaj administratës Trump. Pra këto janë më problematike edhe pse të heshtura në dallim nga deklaratat që bëjnë zhurmë edhe duken kështu në në media. Po këto janë më problematike”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos