“Serbia ka futur arsenal të paparë në Banjskë”, Abazi: Kosova duhet të përgatitet në të gjitha aspektet

Nga A2 CNN
12 Tetor 2026, 21:27 | Politikë

Haki Abazi, ish-zv/Kryeministër i Kosovës, deklaroi se Kosova duhet të jetë e përgatitur në të gjitha aspektet, pasi, sipas tij, Serbia “e ka shumë të qartë projektin e saj”.

“Nëse Serbia ka arritur ta rikthejë veten si aktor kryesor i qeverisjes në Mal të Zi dhe kontrollon Maqedoninë e Veriut deri në masën kur nga nëntë shqiptarë redukton në 1 shqiptar në administratën publike, dhe përbrenda Kosovës ka agjentët e vet të cilët realisht arrijnë edhe të eksplodojnë arterie kryesore të furnizimit të ujit, dhe përbrenda këtyre viteve po ashtu nën vëzhgimin e NATO-s ka arritur të fusë arsenal të paparë në Banjskë, i bie që realisht injorimi i këtyre proceseve dhe deklaratave të jetë rrezik për Kosovën. Problemin e Kosovës dua ta thjeshtëzoj në nivelin e mbledhjes së mbeturinave nëpër qytetet dhe fshatrat tona. Shteti ynë, ky i riu, nuk ka arritur që të ndërtojë kapacitete të mjaftueshme për të mbledhur mbeturinat. Jemi të fundit, pas Palestinës dhe Ukrainës”, tha Abazi në një lidhje direkte me studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.

“Pyetja ime konkrete është: a mund të valojë flamuri shqiptar në Preshevë? A mund të ndërtohet një statujë e një heroi kombëtar shqiptar në Preshevë? Sepse provuam ta bëjmë dhe e patë se si reaguan serbët. Do të thotë se çështja në Ballkan është e pakryer. Serbia e ka shumë të qartë projektin e saj dhe ne duhet të jemi jo në alarm, por në përgatitje analitike me të gjitha aspektet që të mos biem siç kemi rënë në provim historikisht disa herë radhazi dhe Serbia ka arritur të zgjerojë territorin e vet në çdo periudhë historike, ndërsa ne jemi zvogëluar nga të gjitha anët”, shtoi ish-zv/kryeministri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos