Shqipëria duhet të mbrojë interesin kombëtar dhe të dënojë deklaratat kërcënuese të Ivica Daçiç ndaj Kosovës. Kështu u shpreh ish-ambasadori Arben Çejku në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN, duke kritikuar reagimin e Ministrisë së Jashtme shqiptare ndaj deklaratave të ministrit të jashtëm serb, i cili tha se Kosova është toka e tyre dhe se do ta marrin një ditë.
Sipas tij deklarata e Ministrisë së Jashtme shqiptare ishte më shumë konstatim, sesa dënim i gjuhës së Daçiç.
“Shqipëria është përgjegjëse për interesin kombëtar të shqiptarëve dhe duhet të kuptojmë dhe duhet të dallojmë kur një deklaratë bëhet për fushatë elektorale dhe kur ajo nuk bëhet për fushatë elektorale. Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë sot deklarata e saj në raport me këtë ishte një deklaratë difensive por nuk e vinte gishti mbi plagë. Pra nuk e dënon. Pra mungonte fjala që Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë e dënon këtë gjuhë. Nuk mjafton ta konstatosh. Pra ishte një deklaratë konstatuese, por jo një deklaratë e një ministrie të jashtme, e cila i tregon vendin deklaratave dhe qëndrimeve të tyre, sepse ato përbëjnë një inkursion dhe përbëjnë një goditje ndaj stabilitetit të rajonit dhe ne jemi vend anëtar i NATOS-s”, theksoi ai në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Çejku thekson se Tirana zyrtare duhet të shkëputet nga marrëdhënia miqësore me presidentin serb Aleksandër Vuçiç dhe të mbajë një qëndrim më të qartë në mbështetje të Kosovës.
“Jemi vend anëtar i NATO-s dhe harta e NATO-s është pikërisht aty ku kërcënon Ivica Daçiç. Qoftë edhe si anëtar i NATO-s, ne duhet t'i tregojmë vendin, jo vetëm thjesht nga kompleksi se ne kemi Kosovën aty. Po, e kemi dhe Kosovën aty, por deklaratat duhet të jenë shumë të qarta dhe unë mendoj që Tirana politike duhet të shkëputet nga historia e një marrëdhënieje shumë miqësore me Vuçiçin dhe të dali nga kompleksi inferioriteti dhe t'i tregojë vendin minimalisht tani që është ndoshta edhe fundi për t'i treguar kohën atyre”, u shpreh ai Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Ai deklaroi se politika e Beogradit e ka përdorur Kosovën për qëllime elektorale dhe kundërshtimi ndaj shtetësisë së saj nuk kufizohet vetëm te retorika, por edhe te veprimet dhe lobimi ndërkombëtar serb.
“Politika në Beograd e ka përdorur Kosovën si një kartë elektorale por nuk është vetëm përdorimi retorik dhe politik janë bërë edhe veprimet dhe ka një kontinuitet të agresionit serb kundër Kosovës. Serbia prej në fillim edhe gjatë kohës së bisedimeve në 2006 dhe deri sot ka 20 vjet organizim shtetëror kundër shtetësisë së Kosovës. Ka bërë inkursione, ka bërë ndërhyrje ndërkombëtare, ka bërë lobim ndërkombëtar, ka pretenduar dhe ka tentuar të përfshijë në vallen e saj edhe Shqipërinë ndonjëherë duke e mikluar, qoftë edhe duke i kënduar këngë kryeministrit Rama dhe kujtoj këtu në Paris në qershor 2016 ishte pikërisht ky aktori i cirkut Daçiç që i këndoi këngën O sole mio, ashtu siç i këndoi dhe Erdoganit këngën e Osman Agës apo që këndon edhe këngë të tjera. Duke u zhvendosur pak nga emocionet e fushatës dhe nga retorika e ditës, duhet të kapim strategjinë e shtetit të Serbisë kundër shtetësisë së Kosovës dhe kjo ka vepruar, vepron dhe do të veprojë dhe në të ardhmen”.
(A2 Televizion)