Erdogan i falet Greqisë për të “pushtuar” Europën me bishën turke

Nga A2 CNN
6 Dhjetor 2023, 17:36 | Bota

Një përqafim me Mitsotakis për t’i hapur rrugën “pushtimit” të Europës me makinën e elektrike turke Togg T10X.

Këtë rrugë duket se po ndjek Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan, i cili ka zbutur ndjeshëm tonet për marrëdhëniet me Greqinë, 24 orë para se të mbërrijë në Athinë për një vizitë zyrtare.

Në një intervistë për “Kathimerini”, lideri turk si rrallëherë deklaroi se pret me padurim çeljen e “një faqe të re” në marrëdhëniet dy palëshe bazuar në parimin “win-win”.

Greqia është fqinj ynë dhe ne do të mbetemi gjithmonë fqinjë. Ne ndajmë të njëjtin det. Ne thithim të njëjtin ajër. Ne jemi të lidhur nga e kaluara jonë. Ka shumë çështje që ende nuk kemi arritur t’i zgjidhim. Të dy vendet e dinë këtë. Megjithatë, varet nga ne nëse do të lejojmë që këto probleme të shkaktojnë tensione dhe mosmarrëveshje midis qeverive tona dhe popujve tanë. Sigurisht që kemi dallime në mendime dhe ka çështje të thella që nuk mund të zgjidhen menjëherë. Por ka kapituj që mund të gjejmë zgjidhje dhe mund të zgjerojnë bazën për bashkëpunim”, është shprehur Erdogan.

Dhe sipas analistëve dëshira për të lidhur një miqësi të fortë me Mitsotakis, ka nga pas një makinë, atë që është shndërruar në simbolin e prodhimit turk - Togg T10X.

SUV-i elektrik u përdor fuqishëm edhe në fushatën elektorale të Erdoganit, duke dashur të simbolizojë Turqinë e gjeneratës së ardhshme, që do të shënjohet nga zhvillimi ekonomik si superfuqi e automobilistikes në Europë.

Turqia është vendi i pestë në botë në prodhimin e automjeteve, por për kompani të tjera dhe tashmë krenarë për eksperiencën e fituar në industrinë e automobilave, ata kanë nisur prodhimin e makinës së tyre të parë.

Dhe me një automjet elektrik, Presidenti turk dëshiron të zgjerojë shitjet edhe në Evropë, duke filluar nga Greqia. T10X ndodhet në dosjet e investimeve, të cilat turqit do të marrin me vete në vizitën e tyre në Athinë.

Prodhimi i makinës filloi në vitin 2022 dhe është i pari nga pesë modelet e planifikuara për t'u prodhuar deri në vitin 2030.

Dërgesat e para kanë nisur në maj, me rreth 300 makina në muaj, por kompania synon të prodhojë 175,000 automjete në vit kur fabrika në Gemlik të Turqisë të jetë plotësisht funksionale. T10X është i disponueshëm në dy versione me bateri të ndryshme dhe një motor me 218 kuaj/fuqi.

Me baterinë e vogël makina mund të ecë deri në 314 km me një karikim, ndërsa me versionin më të madh arrin deri të përshkojë deri në 523 km. Përveç tyre, së shpejti do të jetë në dispozicion edhe versioni më i fuqishëm i T10X, me dy motorë dhe një fuqi totale prej 435 kuaj/fuqi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos