Ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, deklaroi se me sulmin ndaj Iranit, “SHBA dhe Izraeli kanë thyer ligjin ndërkombëtar”.
“Unë kam mendimin që nuk është e papritur ajo çka ndodhi këto 2-3 ditë me sulmet amerikano-izraelite kundër Iranit, ishte një çështje e parashikuar. Vetëm koha na ndante se kur. Madje, erdhi në një moment kur para disa ditësh u fol dhe madje u përcaktua pak a shumë edhe dita se kur do të fillonte sulmi, dhe vërtetë filloi në atë moment kur thashethemet kishin marrë dhenë. Në radhë të parë duhet bërë dallimi midis qëndrimit që duhet të mbahet ndaj një regjimi siç ishte ai Teheranit, i Ali Khameneit. Një regjim që tashmë ka filluar që në 1979, që do të thotë se ka rreth 47 vjet sundim atje. Pra, nga kjo pikëpamje, ai regjim meriton që të largohet nga skena e historisë. Gjithnjë kemi mbështetur çdo lëvizje të popullit iranian, madje lëvizjet e mëdha të protestës studentore dhe më gjerë kanë gjetur mbështetje, ashtu siç ka gjetur mbështetje edhe opozita iraniane që tashmë ka një segment të saj që ka shumë vite që qëndron edhe në Shqipëri”, tha Milo.
“Tani, kjo që ka ndodhur, duke bërë dallimin midis një regjimi që duhej të ikte dhe urojmë që të iki sa më shpejt, dhe aktit të ndërhyrjes, të sulmit amerikano-izraelit kundër regjimit apo kundër Iranit, këtu duhet të qëndrojmë sepse mendimi im është që me këtë sulm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli kanë thyer ligjin ndërkombëtar, kanë dhunuar të drejtën ndërkombëtare, kanë sulmuar nga pikëpamja e të drejtës një vend sovran”, shtoi ish-ministri i Jashtëm.
Sipas tij, “sulmi është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, është në kundërshtim me kartën e Kombeve të Bashkuara, që parashikon qartë se kur mund të sulmohet dhe si duhet sulmuar një vend që krijon probleme, që rrezikon paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”.
(A2 Televizion)