Kampionati Evropian i Basketbollit ka filluar me 27 gusht. Janë zhvilluar edhe ndeshjet e para - Gjermania fitoi bindshëm ndaj Malit të Zi.
Kush do të jetë nikoqir i Kampionatit?
Bashkëpritësit e EuroBasket 2025 janë Qiproja, Polonia, Finlanda dhe Letonia. Qiproja do të jetë nikoqire për herë të parë. Numri në rritje i evropianëve që luajnë në NBA-në amerikane - liga më e mirë në botë - po përdoret për të popullarizuar sportin në vendet evropiane. Ukraina supozohej të ishte një nga katër nikoqirët përpara Polonisë. Në janar 2022, kabineti i Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenski njoftoi se organizimi i turneut ishte një nga prioritetet e tij kryesore. Por vetëm një muaj më vonë Rusia sulmoi Ukrainën dhe filloi lufta.
Të katër vendet janë nikoqire të fazës së grupeve. Katër ekipet e para nga secili prej katër grupeve me nga gjashtë ekipe do të kalojë në "fazën eliminatore". Kjo fazë do të luhet në Riga, Letoni. Turneu filloi më 27 gusht dhe zgjat deri në finalen që mbahet më 14 shtator.
Politika në kontekstin e basketbollit?
Pjesëmarrja e Izraelit në turne shihet edhe në një kontekst politik, duke pasur parasysh ofensivën ushtarake izraelite në Gaza. Vitin e kaluar, ekipi irlandez i basketbollit të femrave refuzoi të shtrëngonte duart me gratë nga ekipi Izraelit.
Vetë turneu zhvillohet prej 90 vjetësh, dhe është pjesë e zakonshme peizazhit të përgjithshëm të sportit. Ekziston gjithashtu një listë e gjatë surprizash të mëdha që kanë dalë nga garat, duke përfshirë fitoren e Italisë në kampionatin e fundit si dhe fitoren dhe titullin e Gjermanisë në vitin 1993.
Shifrat e shikueshmërisë për turneun e vitit 2022 sugjerojnë se popullariteti i garës po rritet në të gjithë kontinentin. Fitorja e Spanjës ndaj Francës tre vjet më parë u ndoq nga 3.75 milionë njerëz në Spanjë. Të gjitha ndeshjet vendimtare u transmetuan në kanale falas në katër vendet që ishin në gjysmëfinale. Rreth katër milionë njerëz ndoqën gjysmëfinalen midis Gjermanisë dhe Spanjës.
Këto shifra tregojnë se popullariteti i basketbollit po rritet edhe në Evropë. 24 ekipet në EuroBasket-in e këtij viti janë kualifikuar edhe për Kupën e Botës që do të mbahet më 2027, por kjo garë do të përcaktojë disa ekipe që do të garojnë në Lojërat Olimpike Verore 2028 në Los Angeles. Bëhet fjalë gjithashtu për përmirësimin e basketbollit evropian - në Qipro apo dhe në vende të tjera.
Yjet e NBA në Kampionatin Evropian
Fituesi tre herë i lojtarit më të vlefshëm (MVP) të NBA-së, Nikola Jokiq, që nga shumëkush konsiderohet edhe si aktualisht lojtari më i mirë në botë, do të jetë një prej yjeve që është në qendër të vëmendjes. Kualitetin e tij ai e dëshmoi edhe në ndeshjen e parë të Serbisë me Estoninë, ku ishte më i miri në fushë. Por as loja e mirë e Jokiqit në kampionatin e fundit evropian nuk mjaftoi për fitoren e Serbisë, e cila humbi me Italinë në pjesën e garave me eliminime.
Një prej yjeve është edhe greku Giannis Antetokounmpo si dhe slloveni Luka Donçiq. Ndërsa ngjyrat e Gjermanisë i mbrojnë ndër të tjerë edhe yjet Denis Schroeder dhe Franz Wagner. Ekipi gjerman mundi bindshëm në ndeshjen e parë ekipin e Malit të Zi me rreth 30 pikë dallim.
Por një numër lojtarësh të shquar nuk do të luajnë në turne, si Victor Wembanyama dhe Rudy Gobert nga Franca, Domantas Sabonis i Lituanisë, si dhe Moritz Wagner, Isaiah Hartenstein dhe Maxi Kleber të Gjermanisë.
Cilët janë favoritët?
Serbia është në krye të listës së favoritëve me Jokiqin dhe Bogdanoviqin në ekip. Në Serbi pritet që ekipi i tyre të fitojë këtë kampionat. Por ka dhe favoritë të tjerë. Franca është dobësuar për shkak të mungesës së yjeve kryesore nga NBA, por ka disa lojtarë të tjerë shumë të mirë. Ndër favoritët është edhe Spanja, e cila mbron titullin nga kampionati i kaluar, por brezi i tyre i artë është larguar nga basketbolli. Turqia mund të jetë një skuadër që mund të befasojë, por edhe Gjermania nuk është pa shanse, ndonëse i mungojnë disa lojtarë shumë të mirë. Në ndeshjen e parë gjermanët fituan bindshëm, por mbetet të shihet se si do të zhvillohen gjërat në vazhdim të kampionatit ku Wagner dhe Schroeder mund të kenë rolin më të rëndësishëm, së bashku me Daniel Theis dhe Isak Bonga dhe të tjerë./ DW (A2 Televizion)