
Trajneri i Bajern Mynih, Vincent Kompany, është dërguar në spital të premten, pasi pësoi kolaps teksa po ndiqte stërvitjen e ekipit të dytë të klubit gjerman.
Tekniku 40-vjeçar kishte pasur probleme shëndetësore për shkak të një infeksioni viral dhe për këtë arsye mungoi në konferencën për shtyp të së martës, në prag të ndeshjes së Bajernit kundër Arsenalit në Champions League. Megjithatë, ai ishte i pranishëm në vijën anësore gjatë takimit.
Klubi bavarez konfirmoi se Kompany kishte pasur nevojë për trajtim mjekësor pasi u rrëzua gjatë stërvitjes së ekipit të dytë.
“Trajneri i ekipit të parë po ndiqte seancën stërvitore të ekipit të dytë. Kompany do t’i nënshtrohet ekzaminimeve të hollësishme në spital dhe do të qëndrojë nën kujdesin mjekësor”, thuhet në njoftimin e Bajern Mynih.
Klubi bëri të ditur gjithashtu se, deri në një njoftim të dytë, stafi teknik i Kompany-t do të marrë përsipër drejtimin e stërvitjeve dhe përgatitjen për ndeshjet.
Ndeshja e radhës për Bajern Mynih është ajo kundër Freiburgut, të planifikuar të dielën në kuadër të kampionatit gjerman.
(A2 Televizion)