
Një valë e paprecedentë të nxehti po përfshin Europën, duke thyer rekorde historike temperaturash dhe duke shkaktuar qindra viktima në disa vende të kontinentit. Autoritetet meteorologjike paralajmërojnë se temperaturat ekstreme do të vijojnë edhe gjatë ditëve në vijim, ndërsa rreziku për shëndetin publik mbetet shumë i lartë.
Britania e Madhe theu për të dytën ditë radhazi rekordin kombëtar të temperaturës për muajin qershor. Në Yeovilton, në jug të Anglisë, termometri shënoi 36.4 gradë Celsius, duke kaluar rekordin e vendosur vetëm një ditë më parë dhe duke lënë pas temperaturën maksimale të regjistruar 50 vjet më parë.
Edhe Franca po përjeton ditë dramatike. Shërbimi meteorologjik francez njoftoi se vendi ka regjistruar natën më të nxehtë në histori, ndërsa për të dytën ditë radhazi është thyer rekordi i temperaturës mesatare ditore. Në shumë qytete, përfshirë Parisin, temperaturat kanë kaluar 40 gradë Celsius.
Në Spanjë, e hëna dhe e marta u shpallën ditët më të nxehta të qershorit të regjistruara ndonjëherë. Sipas sistemit kombëtar të monitorimit të vdekshmërisë, të paktën 212 persona kanë humbur jetën nga pasojat e valës së të nxehtit gjatë katër ditëve të fundit.
Ndërkohë, në Francë raportohen të paktën 48 raste mbytjeje të personave që kërkonin freski në ujëra gjatë javës së fundit, ndërsa tre fëmijë janë gjetur të pajetë brenda automjeteve të mbinxehura. Në Itali janë regjistruar të paktën pesë viktima të lidhura me temperaturat ekstreme, mes tyre punëtorë bujqësie dhe persona të pastrehë.
Autoritetet franceze kanë shpallur alarmin maksimal në 72 rajone të vendit, ndërsa paralajmërohet se temperaturat mund të kalojnë sërish 40 gradë Celsius. Edhe Belgjika dhe Gjermania janë përfshirë nga alarmet për vapën, me termometrin që pritet të afrohet me 40 gradët gjatë fundjavës.
(A2 Televizion)