Rrjetet sociale kanë ndryshuar mënyrën si komunikojmë, informohemi dhe rritemi. Por për herë të parë që nga lindja e tyre, shtetet po përpiqen t’u vendosin kufij të fortë. Arsyeja: shëndeti mendor i fëmijëve dhe adoleshentëve.
Nga Australia në Europë, e deri në Indi, një valë ligjesh po merr formë, duke vënë përballë qeveritë, prindërit, të rinjtë dhe gjigantët e teknologjisë. Pyetja është e thjeshtë, por përgjigjja jo: a duhet të ndalohen rrjetet sociale për fëmijët? Australia ishte e para që e ktheu këtë debat në ligj.
Më 28 nëntor 2024, pas ditësh debatesh të ashpra, Parlamenti miratoi ligjin që ndalon përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 16 vjeç. Ligji, që hyri në fuqi në nëntor 2025, detyron platformat të zbatojnë sisteme verifikimi të moshës dhe parashikon gjoba deri në 49.5 milionë dollarë australianë për shkeljet, shkruan A2 CNN.
“E dimë se ka shqetësim të gjerë dhe prova të forta për ndikimin e rëndë të rrjeteve sociale në shëndetin mendor të fëmijëve. Që nga rritja e përdorimit të tyre, kemi parë trende shumë shqetësuese globale, veçanërisht tek vajzat”, tha Sarah Henderson, senatore liberale.
Por vetëm një ditë pas miratimit të ligjit, dyshimet nisën. Shumë qytetarë pyesin nëse ndalimi do të funksionojë apo thjesht do ta shtyjë problemin në hije.
“Nuk mendoj se është një gjë e mirë. Nuk do ta ndalojë përdorimin dhe qeveria po merr përsipër diçka që është përgjegjësi e prindërve”, u shpreh Stuart Carr, këshilltar biznesi .
Më 10 dhjetor 2025, ndalimi u bë realitet. TikTok, YouTube, Instagram dhe Facebook nisën bllokimin e përdoruesve nën 16 vjeç. Ekranet e telefonave shfaqin paralajmërime, por për shumë adoleshentë, ligji shihet si i pazbatueshëm.
“Është pak pa kuptim. Ne thjesht do të krijojmë mënyra të reja për t’u futur, kështu që cili është qëllimi?”, thotw njw 14-vjeçar.
Pavarësisht skepticizmit, qeveria australiane e sheh ligjin si një fitore historike.
“Kjo është një ditë kur krenaria ime si kryeministër nuk ka qenë kurrë më e madhe. Kjo është udhëheqje globale. Bota po na vëzhgon dhe po na ndjek”, tha Anthony Albanese, Kryeministër i Australisë.
Shembulli australian po reflektohet shpejt në Europë. Spanja njoftoi ndalimin e aksesit në rrjetet sociale për të miturit nën 16 vjeç, me verifikim të detyrueshëm të moshës.
“Fëmijët tanë janë të ekspozuar ndaj një hapësire ku nuk duhet të lihen vetëm: një hapësirë varësie, abuzimi, pornografie, manipulimi dhe dhune”, tha Pedro Sanchez, Kryeministër i Spanjës.
Në rrugët e Madridit, reagimet janë kryesisht pozitive.
“Nuk më pëlqejnë ndalimet, por kjo masë është e nevojshme. Fëmijët nën 16 vjeç nuk janë ende gati për rrjetet sociale”, u shpreh Charo Ortega, banore e Madridit .
Në Francë, Asambleja Kombëtare ka shkuar edhe më tej. Deputetët kanë miratuar ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç.
“Rrjetet sociale premtuan lidhje, por kanë fragmentarizuar. Premtuan informim, por kanë mbingarkuar. Fëmijët tanë lexojnë më pak, lëvizin më pak dhe flenë më pak”, tha Laure Miller, deputete Francë.
Presidenti Emmanuel Macron e cilëson ligjin si një mbrojtje të domosdoshme të fëmijërisë.
“Truri i fëmijëve tanë nuk është për shitje. As për platformat amerikane, as për rrjetet kineze.”
Por të rinjtë shprehin frikën e izolimit.
“Duhet të mbrohemi, por pa u shkëputur nga informacioni dhe bota”, tha Felix Trompiz, 16 vjeç Francë.
Danimarka ka zgjedhur një rrugë kompromisi: ndalim nën 15 vjeç, por me leje prindërore nga mosha 13.
“Rekomandimi ynë i qartë për prindërit është që fëmijët të mos jenë në rrjetet sociale para moshës 15 vjeç”, tha Caroline Stage Olsen, ministre daneze.
Në Greqi, ekspertët janë skeptikë.
“Nëse duam të jemi të rreptë, duhet të jemi me kompanitë teknologjike, jo me fëmijët”, tha Kelly Ioannou, kriminologe digjitale .
Ndërsa adoleshentët paralajmërojnë për pasoja sociale.
“Nëse kjo hiqet nga jeta jonë, do të shkëputen edhe marrëdhëniet mes fëmijëve”, u shpreh Giannis Bitis, 15 vjeç Greqi.
Në Indi, ku qindra milionë të rinj përdorin rrjetet sociale, autoritetet flasin hapur për varësi digjitale.
“Skrollimi kompulsiv lidhet drejtpërdrejt me ankthin, depresionin dhe mendimet vetëvrasëse tek adoleshentët”, tha V. Anantha Nageswaran, këshilltar ekonomik.
“Varësia digjitale është një problem i madh dhe ndikon drejtpërdrejt në studime dhe jetën e përditshme”, tha Sidharth Kulkarni, student.
Parlamenti Europian ka miratuar një rezolutë që kërkon një moshë minimale 16 vjeç për rrjetet sociale në gjithë BE-në.
“Gjigantët e teknologjisë nuk kanë bërë mjaftueshëm për të mbrojtur fëmijët. Prandaj duhet një metodë tjetër, kufiri i moshës”, tha Christel Schaldamose, eurodeputete.
Nga ndalimi total, tek kompromisi me prindërit, një gjë është e qartë: epoka e lirisë absolute digjitale po mbyllet. Shtetet po përpiqen të mbrojnë fëmijët, ndërsa fëmijët kërkojnë të mos izolohen. Mes këtyre dy botëve qëndrojnë platformat, për herë të parë nën presion real. Pyetja që mbetet është nëse këto ligje do ta fitojnë betejën me algoritmet apo nëse kjo është vetëm faza e parë e një lufte shumë më të gjatë për të ardhmen digjitale të brezit të ri. (A2 Televizion)