Për Pekinin, Tajvani është pjesë e pandashme e territorit kinez dhe ribashkimi me ishullin mbetet një objektiv historik që, sipas autoriteteve kineze, duhet të realizohet një ditë. Për Tajvanin, realiteti është krejt tjetër: ishulli ka qeverinë e vet, ushtrinë, pasaportën, monedhën dhe zhvillon zgjedhje demokratike, ndërsa në praktikë funksionon si një shtet i pavarur, edhe pse nuk njihet zyrtarisht si i tillë nga shumica e vendeve të botës.
Por, për të kuptuar se si u krijua kjo situatë e pazakontë, duhet të kthehemi pas në kohë, në luftën civile kineze dhe në vitin 1949.
“Pse Kina mendon se Tajvani është pjesë e Kinës? Kjo lidhet me luftën civile të vitit 1949 mes Kinës dhe Tajvanit. Në atë kohë, udhëheqësi i Partisë Komuniste Kineze, Mao Ce Duni, dhe forcat e tij mposhtën Kuomintangun, të drejtuar nga Chiang Kai-shek. Chiang Kai-shek, së bashku me ushtrinë e tij dhe një numër të madh familjesh ushtarake, u tërhoqën në Tajvan. Që prej asaj kohe, Partia Komuniste Kineze ka pretenduar vazhdimisht se Tajvani është pjesë e Kinës dhe se rikthimi i tij nën kontrollin e Kinës është një mision i pambyllur.”, tha Chun-Yi Lee.
Për më shumë se dy dekada pas vitit 1949, përfaqësimi i Kinës në Kombet e Bashkuara ishte një tjetër front i përplasjes mes Pekinit dhe Tajvanit. Republika e Kinës, qeveria që ishte vendosur në Tajvan, vazhdonte të pretendonte se përfaqësonte Kinën, ndërsa Republika Popullore e Kinës kërkonte të merrte vendin e saj në organizatën ndërkombëtare. Në vitin 1971, kjo situatë ndryshoi rrënjësisht. Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi Rezolutën 2758, duke i dhënë Republikës Popullore të Kinës përfaqësimin e Kinës në OKB. Delegacioni i Tajvanit u largua nga salla.
“Që nga viti 1949 deri në vitin 1971, në Kombet e Bashkuara ekzistonin, në njëfarë mënyre, dy Kina. Në atë kohë, udhëheqësi i Kuomintangut, Chiang Kai-shek, përfaqësonte Republikën e Kinës në Tajvan. Por në fund të viteve ’60 dhe në fillim të viteve ’70, presidentët amerikanë dhe opinioni publik në SHBA nisën të mendonin se Kina kontinentale duhej të përfshihej në Kombet e Bashkuara dhe se Republika Popullore e Kinës duhej të kishte një vend në organizatë. Chiang Kai-shek e konsideroi këtë si një tradhti ndaj Tajvanit dhe, për këtë arsye, delegacioni i tij u largua nga Kombet e Bashkuara.”
Sot, Tajvani nuk është anëtar i OKB-së dhe vetëm një numër i kufizuar shtetesh mbajnë marrëdhënie diplomatike zyrtare me Taipein. Mes tyre është edhe Vatikani. Ndërkohë, shumë vende perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara, nuk e njohin Tajvanin si shtet të pavarur në kuptimin diplomatik formal, por mbajnë me të marrëdhënie të gjera dhe të strukturuara jozyrtare. Kjo krijon një nga paradokset më të mëdha të sistemit ndërkombëtar: Tajvani funksionon si një shtet në praktikë, por statusi i tij ndërkombëtar mbetet i kontestuar.
“Statusi i Tajvanit, në këndvështrimin e tajvanezëve dhe në atë ndërkombëtar, është shumë i ndryshëm. Për tajvanezët nuk ka arsye që Tajvani të mos konsiderohet një shtet, sepse ka pasaportën e vet, qeverinë e vet dhe është një demokraci. Që nga viti 1996, Tajvani ka zhvilluar zgjedhje të rregullta demokratike presidenciale dhe parlamentare. Ka gjithashtu forcat e veta ushtarake. Prandaj, tajvanezët e konsiderojnë Tajvanin një shtet de facto. Arsyeja pse përdor termin ‘shtet de facto’ është se, në shoqërinë ndërkombëtare dhe në organizata si Kombet e Bashkuara, Tajvani nuk është anëtar dhe nuk konsiderohet shtet në të njëjtin kuptim formal.”, tha tha Chun-Yi Lee.
Në këtë ekuacion hyjnë Shtetet e Bashkuara. Uashingtoni i ndërpreu marrëdhëniet diplomatike zyrtare me Taipein në vitin 1979 dhe njohu qeverinë e Pekinit, por marrëdhëniet amerikano-tajvaneze nuk u ndërprenë. Ato u riorganizuan mbi bazën e Taiwan Relations Act, që i jep SHBA-së bazën ligjore për t’i siguruar Tajvanit mjete për vetëmbrojtje.
Por ekziston një pikë thelbësore: SHBA-ja nuk ka një traktat të mbrojtjes së ndërsjellë me Tajvanin dhe nuk ka deklaruar zyrtarisht se do të dërgonte automatikisht trupa në rast të një sulmi kinez. Kjo është ajo që njihet si “strategji e paqartësisë” – një politikë që synon të mos e bëjë plotësisht të qartë se si do të reagonte Uashingtoni në rast të një pushtimi.
“Ne gjithmonë flasim për një paqartësi strategjike në marrëdhëniet e SHBA-së me Tajvanin. Nuk është e qartë nëse Shtetet e Bashkuara do të dërgonin trupa për të mbrojtur Tajvanin. SHBA-ja nuk e ka thënë kurrë qartë këtë. Asnjë president nuk ka deklaruar zyrtarisht se do të dërgonte trupa për të mbrojtur Tajvanin.”, tha tha Chun-Yi Lee
Megjithatë, Uashingtoni vazhdon t’i shesë armë Tajvanit, ndërsa ushtria tajvaneze stërvitet dhe pajiset me sisteme amerikane, përfshirë tanket M1A2T Abrams.
“Arsyeja pse SHBA-ja vazhdon t’i shesë armë Tajvanit është e rëndësishme për t’u theksuar: Tajvani i blen ato, nuk ia japin falas. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë t’i shesin pajisje ushtarake, edhe pse jo gjithmonë sistemet më të avancuara, sepse duan që Tajvani të ketë një sistem mbrojtjeje asimetrike, në mënyrë që të mund të rezistojë nëse, edhe pse askush nuk dëshiron ta shohë këtë, Kina do të ndërmerrte një pushtim të Tajvanit.”, tha Chun-Yi Lee.
Pekini e kundërshton kategorikisht këtë interpretim. Qeveria kineze e konsideron Tajvanin pjesë të territorit të saj dhe thotë se ribashkimi është i pashmangshëm.
“Tajvani nuk ka qenë kurrë shtet. Deklarata të tilla zbulojnë vetëm arrogancën dhe padijen e disa personave dhe janë provokime të hapura për pavarësinë e Tajvanit. Në botë ekziston vetëm një Kinë dhe Tajvani është pjesë e pandashme e territorit kinez. Qeveria e Republikës Popullore të Kinës është qeveria e vetme legjitime që përfaqëson të gjithë Kinën. E ardhmja e Tajvanit mund të vendoset vetëm nga më shumë se 1.4 miliardë kinezë, përfshirë bashkatdhetarët tanë tajvanezë. Kina do dhe duhet të ribashkohet përfundimisht, dhe ky është një trend historik që asnjë forcë nuk mund ta ndalë.”, tha Mao Ning, zëdhënëse e ministrisë së jashtme kineze.
Pekini ka deklaruar se preferon një ribashkim paqësor, por nuk ka hequr dorë nga mundësia e përdorimit të forcës. Në vitin 2005, Kina miratoi edhe Ligjin Kundër Shkëputjes, i cili krijon bazën ligjore për përdorimin e forcës në rrethana të caktuara, ndërsa vetë ligji nuk përcakton në mënyrë të detajuar se si do të veprohej.
Në teori, pyetja duket e thjeshtë. Në praktikë, është shumë më e komplikuar.
Tajvani tashmë ka një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike, territor të kontrolluar prej saj, ushtri, monedhë dhe pasaportë. Por shpallja formale e një “Republike të Tajvanit” do të kërkonte ndryshime kushtetuese dhe një proces politik shumë më të ndërlikuar sesa një deklaratë presidenciale.
Përtej historisë dhe ushtrive, ekziston një tjetër arsye pse Tajvani është bërë kaq strategjik për ekonominë botërore: mikroçipat.
Tajvani është një nga qendrat më të rëndësishme globale të prodhimit të gjysmëpërçuesve dhe kompania TSMC është në qendër të kësaj industrie. Pandemia e COVID-19 dhe tensionet SHBA-Kinë e bënë edhe më të dukshme varësinë globale nga zinxhirët e furnizimit të lidhur me Tajvanin.
“Gjysmëpërçuesit kanë qenë jashtëzakonisht të rëndësishëm në tregtinë mes Tajvanit dhe Shteteve të Bashkuara, jo vetëm për investimet, por edhe për talentin njerëzor. Prodhimi tajvanez i çipave përbën rreth 70 për qind të tregut global të çipave dhe rreth 90 për qind të tregut të çipave të avancuar.”, tha Chun-Yi Lee
Presidenti Donald Trump ka kërkuar që një pjesë më e madhe e prodhimit të çipave të rikthehet në Shtetet e Bashkuara, duke argumentuar se industria amerikane ka humbur terren.
Dhe kështu, çështja e Tajvanit nuk është më vetëm një mosmarrëveshje mes Pekinit dhe Taipeit. Ajo është një nyje ku takohen siguria globale, teknologjia, tregtia dhe rivaliteti mes dy superfuqive.
Nëse Kina do të ndërmerrte një veprim ushtarak kundër Tajvanit, pasojat nuk do të kufizoheshin vetëm në ngushticën që ndan ishullin nga kontinenti. Aty do të përplaseshin interesat e Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, zinxhirët globalë të furnizimit dhe një industri nga e cila varet një pjesë e madhe e ekonomisë moderne.
(A2 Televizion)