Ministria e Mbrojtjes e Norvegjisë ka thënë se do të vendosë avionë luftarakë F-35 (fjala e fundit e teknologjisë për mjetet luftarake ajrore) dhe sisteme të mbrojtjes ajrore NASAMS në një qendër logjistike në Poloni, e cila koordinon ndihmën ushtarake për Ukrainën.
Sipas mediave të huaja, nga fillimi i dhjetorit, Norvegjia do të mbrojë hapësirën ajrore mbi aeroportin Rzeszow në Poloni dhe do të dërgojë rreth 100 ushtarë përveç sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe avionëve luftarakë, tha Ministria në një deklaratë.
Ministri i Mbrojtjes Bjorn Arild Gram tha: “Ukraina mbetet në nevojë kritike për mbështetje ushtarake, me Poloninë si qendrën më kritike të logjistikës”.
"Në këtë mënyrë Norvegjia kontribuon për të siguruar që ndihma për Ukrainën të arrijë në destinacionin e saj."
Kujtojmë se me mijëra persona, civilë e ushtarak, kanë humbur jetën në Ukrainë që nga shkurti i vitit 2022, pas nisjes së agresionit të pajustifikuar të Rusisë ndaj fqinjit të saj perëndimor. (A2 Televizion)