Flakë në Hormuz, kapet nëndetësja. SHBA sulmon disa cisterna nafte, Irani i godet bazën në Jordani

Nga Xhevahir Qardaku
9 Shtator 2026, 11:04 | Bota

Flakë në Hormuz, kapet nëndetësja. SHBA sulmon disa cisterna

Përshkallëzohet përplasja mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Forcat amerikane goditën pesë anije-cisterna iraniane, duke fundosur njërën prej tyre. Sipas Komandës Qendrore, katër prej anijeve ishin të lidhura me Gardën Revolucionare, ndërsa një tjetër u godit pranë ishullit Kharg, terminali kryesor i eksportit të naftës së Iranit.

Teherani u kundërpërgjigj me raketa ndaj një baze amerikane në Jordani, ndërsa autoritetet atje thanë se kanë rrëzuar 18 nga 20 raketat e lëshuara, shkruan A2 CNN. Garda Revolucionare iraniane pretendon gjithashtu se ka sulmuar dy anije amerikane, tetë cisterna nafte dhe dhjetë anije të tjera që tentonin të kalonin në ngushticën e Hormuzit.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, paralajmëroi se çdo përpjekje e Iranit për të goditur anijet amerikane do të pasohet nga humbje të tjera të cisternave iraniane. “Po, përplasja është mjaft e drejtpërdrejtë dhe qëndron në faktin se Irani vazhdon të përpiqet të godasë anijet luftarake amerikane. Sa herë që ata e bëjnë këtë, ose përpiqen ta bëjnë, ata do të humbasin cisterna. Dhe mendoj se do ta shihni këtë përsëri edhe sot”, tha ai.

Marina e Gardës Revolucionare Islamike njoftoi se forcat e saj kishin kapur një nga nëndetëset pa pilot “më moderne dhe inteligjente” të ushtrisë amerikane në hyrje të Ngushticës së Hormuzit. Madje publikoi dhe imazhe të mjetit, të përshkruar si një nëndetëse e madhe amerikane pa pilot, afërsisht 5.8 metra e gjatë dhe me peshë afër tre ton.

Përshkallëzimi ka tronditur edhe tregjet energjetike, me çmimin e naftës Brent që u rrit rreth 1.5 për qind, duke kaluar 99 dollarë për fuçi. Në të njëjtën kohë, sulmet e fundit kanë rritur shqetësimet për sigurinë e ngushticës së Hormuzit, një prej rrugëve më të rëndësishme të transportit të naftës në botë. Situata tensionohet edhe më tej pas një sulmi të rebelëve Houthi, të mbështetur nga Irani, ndaj infrastrukturës energjetike dhe civile në Arabinë Saudite, ku u plagosën 73 persona. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos