Britania e Madhe njoftoi një ndalim tregtar për mallrat e prodhuara në vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar, në koordinim me Francën dhe Kanadanë. Këto janë sanksionet më të fundit që synojnë Izraelin, ndërsa vendi përballet me një izolim diplomatik në rritje.
Ministri i Jashtëm britanik, Ed Miliband, deklaroi se Britania nuk mund të mjaftohej më vetëm me “denoncimin” e padrejtësisë dhe vuajtjes, por u tha deputetëve në Dhomën e Komunave se vendi tani duhet të “veprojë” për të kundërshtuar zgjerimin e vendbanimeve.
“Pra, sot mund të njoftoj se do të vendosim një ndalim të importit për mallrat që vijnë nga vendbanimet e paligjshme në territoret e pushtuara. Për ta realizuar këtë, do të prezantojmë një regjim të ri dhe gjithëpërfshirës sanksionesh, në bashkëpunim me kolegun tim të nderuar, Sekretarin e Biznesit, duke përfshirë përjashtime të përshtatshme për arsye fetare”, deklaroi Ed Miliband.
Miliband tha gjithashtu se qëndrimi i Britanisë është se pushtimi i Bregut Perëndimor është i paligjshëm dhe se Londra beson se po kryhet spastrim etnik i palestinezëve në zona të Bregut Perëndimor.
SHBA-ja, përmes ambasadorit të saj në Izrael, i ka kritikuar tashmë sanksionet e reja të Britanisë, ndërsa dy ministra izraelitë bënë thirrje për marrjen e masave kundër Britanisë.
Ndërkohë, presidenti izraelit, Isaac Herzog, akuzoi Britaninë se po ndërhyn në zgjedhjet e ardhshme të Izraelit, të planifikuara për në fund të tetorit.
“Në kontekstin aktual, kjo do të përbënte një ndërhyrje flagrante në zgjedhjet demokratike të një kombi sovran dhe nuk do t’i shërbente askujt. Për fat të keq, kjo do t’u shkaktonte dëm të drejtpërdrejtë palestinezëve, duke i privuar ata nga mundësitë për biznes dhe punësim dhe, në fund të fundit, do të minonte interesat dhe sigurinë kombëtare të kombeve që e duan lirinë”, deklaroi Isaac Herzog.
Ndikimi në tregtinë dypalëshe, me vlerë rreth 6 miliardë paundë (8.12 miliardë dollarë) në vit, pritet të jetë minimal, pasi nuk janë ende të qarta detajet se si Mbretëria e Bashkuar do të bëjë dallimin mes mallrave me origjinë nga vendbanimet në Bregun Perëndimor dhe produkteve të prodhuara në Izrael.
Ndërkohë, Franca dhe Kanadaja i janë bashkuar Britanisë në masat e reja ndaj tregtisë me vendbanimet izraelite. (A2 Televizion)