Zgjerohet lufta në Lindjen e Mesme, Houthi sulmojnë Arabinë Saudite, 73 të plagosur

Nga Erjon Dervishi
8 Shtator 2026, 22:44 | Bota

Rebelët Houthi të Jemenit, të mbështetur nga Teherani, sulmuan katër qytete në jug të Arabisë Saudite, një aleate e SHBA-së. Sulmi la të plagosur më shumë se 70 persona dhe shkaktoi zjarre në impiante nafte, në atë që dukej si një zgjerim i madh i konfliktit gjashtëmujor në Lindjen e Mesme.

Houthi-t, të cilët kontrollojnë pjesën më të madhe të zonave të populluara të Jemenit, përfshirë kryeqytetin, deklaruan se kishin nisur një operacion të gjerë thellë në territorin saudit. Ata përdorën dronë dhe raketa për të goditur një bazë ajrore saudite në qytetin jugor Khamis Mushait, si dhe objektiva që i përkisnin kompanisë shtetërore saudite të naftës në qytetet fqinje Abha, Najran, në kufirin me Jemenin, dhe Jazan, një qytet i rëndësishëm portual në Detin e Kuq, ku ndodhen një rafineri e madhe dhe një termocentral.

Imazhet satelitore të NASA-s treguan një re të dendur tymi të zi mbi rafinerinë e Jazan-it dhe një kolonë tymi të bardhë që ngrihej nga një qendër shpërndarjeje nafte në Abha.

Autoritetet saudite konfirmuan zjarret në këto zona dhe bënë të ditur se mes 73 personave të lënduar kishte edhe gra e fëmijë. Raportimet për një numër kaq të madh të plagosurish sugjeronin se këto sulme ishin ndër më të mëdhatë të kryera ndaj Arabisë Saudite që kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën luftën e tyre kundër Iranit në muajin shkurt.

Në ato çaste nuk kishte imazhe të konfirmuara nga terreni që tregonin pasojat e sulmeve në qytetet saudite dhe nuk ishte e mundur të kontaktoheshin dëshmitarë në një vend ku media kontrollohet rreptësisht.

Houthi-t publikuan pamje të shpërthimeve të atyre që pretendonin se ishin kamionë sauditë, të cilët i kishin goditur në sulme të veçanta në zonën kufitare, në një vendndodhje tjetër, një ditë më parë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos