Kancelari gjerman Olaf Scholz ka paralajmëruar për rreziqet që paraqet flota ruse në Detin Baltik. Paralajmërimi vjen disa javë pas dëmtimeve të përsëritura të kabllove nënujore në Detin Baltik. Dëmtimi i fundit i një kablloje nënujore në Detin Baltik "tregon kërcënimin e paraqitur nga flota ruse në hije", tha Scholz gjatë një deklarate për shtyp me kryeministren daneze Mette Frederiksen në Berlin.
"Kufijtë nuk mund të lëvizen me force. Vetëm dje pati njoftime të tjera se një kabllo tjetër nëndetëse ishte dëmtuar. Kjo tregon kërcënimin e flotës hije të Rusisë. Me operacionin e NATO-s, Baltic Sentry, ne do të përmirësojmë mbrojtjen e Detit Baltik dhe infrastrukturën kritike. Një gjë është e qartë: NATO mbetet garantuesi i sigurisë sonë të përbashkët”, tha Olaf Scholz, Kancelar i Gjermanisë.
Nga ana e saj, Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen tha se duhet bërë më shumë në Evropë. "Ne kemi nevojë për një Evropë më të fortë, më të vendosur që është në gjendje të mbrojë veten dhe të promovojë interesat evropiane," tha kreu i qeverisë daneze. "Ne duhet të marrim përgjegjësi më të madhe për sigurinë tonë dhe për forcimin e industrisë sonë të mbrojtjes."
NATO kishte njoftuar shtimin e patrullimeve për shkak të serisë së akteve të dyshuara të sabotimit në Detin Baltik. Aleanca e mbrojtjes dëshiron të monitorojë zonën detare me anije luftarake, avionë zbulimi, satelitë dhe drone në misionin "Baltic Sentry". Shkaku i drejtpërdrejtë i dyshuar i dëmtimit të kabllove është e ashtuquajtura flota hije e anijeve shpesh të vjetruara që mbajnë flamuj të huaj, të cilën Rusia e përdor për të anashkaluar embargon e naftës të vendosur në vazhdën e luftës në Ukrainë.
Sakaq, një dron rus shkaktoi dëmtime të mëdha në Kharkiv, në verilindje të Ukrainës, duke vrarë të paktën dy persona, duke përfshirë një djalë 9-vjeçar dhe duke plagosur disa të tjerë. Sipas asaj që shkruajnë mediat ukrainase, duke cituar shpëtimtarët, rreth orës 02.30 droni goditi një “kompani civile” që ndodhej në një ish-laborator të përpunimit të drurit, duke shkaktuar shpërthimin e inceneratorit të saj të gazit. (A2 Televizion)