Franca do të ndërtojë një burg të ri të sigurisë së lartë në territorin e saj përtej detit, Guajana Franceze, për të strehuar trafikantë droge dhe islamistë radikalë, bëri të ditur ministri francez i Drejtësisë, Gérald Darmanin.
Burgut prej 400 milionë eurosh pritet t’i hapen dyert në vitin 2028 në një zonë të izoluar të xhunglës amazoniane në Saint-Laurent-du-Maroni. Ai do të ketë kapacitet për 500 të burgosur dhe do të përfshijë një sektor të veçantë për kriminelët më të rrezikshëm.
Sipas ministrit, objekti do të ndihmojë në “çrrënjosjen e krerëve të rrjeteve të trafikut të drogës” dhe do të funksionojë nën një regjim shumë të rreptë për të pamundësuar çdo kontakt të të burgosurve me rrjetet kriminale.
Ky vendim vjen pas disa sulmeve të dhunshme ndaj burgjeve në Francë, për të cilat qeveria fajëson bandat kriminale. Guajana Franceze, një pikë kyçe në rrugën e trafikut të drogës nga Brazili dhe Surinami, është zgjedhur për izolimin maksimal të këtyre kriminelëve. (A2 Televizion)