Pas qetësisë amerikane erdhën shpërthimet. Rusia ka rinisur sulmet ndaj Ukrainës me përfundimin e armëpushimit të përkohshëm, me një valë sulmesh me dronë ndaj Kievit.
Sipas autoriteteve ukrainase, të paktën dy persona kanë humbur jetën dhe shtatë të tjerë janë plagosur nga sulmet në kryeqytet dhe zonat përreth. Alarmi ajror u aktivizua gjatë natës, ndërsa mbrojtja për qiellin u vu në veprim dhe disa ndërtesa u goditën në zonat e Boryspilit dhe Fastivit, shkruan A2.
“Kur mysafirët e huaj vijnë të na vizitojnë, këtu është gjithmonë qetësi. Relaksohesh, merr frymë, ndihesh i qetë. Ulesh aty dhe mendon: 'Zot i madh, si është e mundur kjo?' Kështu ishte të dielën. Nuk kishte as alarm për sulm ajror. Ishte aq paqësore, sikur të mos kishte pasur fare luftë. Dhe pastaj ata u larguan dhe gjithçka u kthye. Rusia mbledh të gjithë forcën e saj dhe, me më shumë dronë dhe raketa balistike, fillon të bombardojë përsëri Kievin”, thotë një punonjëse supermarket.
Sulmet vijnë menjëherë pas vizitës në Kiev të emisarëve amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner, të cilët zhvilluan bisedime me Volodymyr Zelenskyn për përfundimin e luftës.
Ndërkohë, Presidenti ukrainas ka bërë të ditur se Shtetet e Bashkuara po përgatisin një “paketë dimërore” ndihmash, që përfshin sisteme të mbrojtjes ajrore, mbështetje për sektorin energjetik dhe furnizime me gaz natyror të lëngshëm. Gjithashtu tha se emisarët amerikanë kanë paraqitur edhe propozime të reja për energjinë, infrastrukturën, eksportet e gazit dhe naftës, si dhe furnizimet me drithëra.
Në të njëjtën kohë, edhe Rusia ka raportuar sulme me dronë ukrainas në rajonin e Saratovit, ku janë dëmtuar struktura civile dhe ka persona të plagosur, sipas autoriteteve ruse. Ndërsa diplomacia amerikane përpiqet të rikthejë negociatat, burime të cituara nga “Kyiv Independent” pretendojnë se Vladimir Putin nuk është i gatshëm të bëjë lëshime dhe se Moska mund të përgatitet për intensifikimin e luftës gjatë dimrit. (A2 Televizion)
