Në prag të nisjes së Festivalit të 82-të Ndërkombëtar të Filmit në Venecia i cili është planifikuar nga 27 gushti deri më 6 shtator 2025, grupi “Venice4Palestine” (V4P), i përbërë nga artistë, gazetarë dhe aktivistë pro-palestinezë, ka kërkuar tërheqjen e ftesave për aktorët Gal Gadot dhe Gerard Butler, duke i akuzuar për mbështetje të hapur të politikave dhe veprimeve të Izraelit në Gaza.
"Ne kërkojmë që ftesa për pjesëmarrje në Festival t'u tërhiqet Gal Gadot dhe Gerard Butler, si dhe çdo artisti apo personazhi të famshëm që mbështet publikisht dhe në mënyrë aktive gjenocidin e kryer nga Izraeli në Gaza".
Në një letër të hapur të publikuar më 22 gusht, e nënshkruar nga mbi 1,500 artistë dhe personalitete të artit, V4P kërkon që hapësira e festivalit t’u vihet në dispozicion artistëve palestinezë dhe të denoncohet “gjenocidi i vazhdueshëm në Gaza dhe spastrimi etnik në Palestinë”. Nënshkruesit përfshijnë emra të njohur si Marco Bellocchio, Laura Morante, Abel Ferrara, Valeria Golino, Matteo Garrone dhe Fiorella Mannoia.
"Dhe në vend të kësaj, kjo hapësirë t'i vihet në dispozicion një delegacioni tonë për të ecur në tapetin e kuq me flamurin palestinez."
Bienalja e Venecias reagoi duke theksuar se festivali ka qenë gjithmonë “një vend debati të hapur dhe ndjeshmërie ndaj çështjeve globale”, por V4P shprehu zhgënjim që përgjigja nuk përmend Palestinën dhe as veprimet e Izraelit.
"Bienalja e Venecias dhe Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Venecia kanë qenë gjithmonë, gjatë gjithë historisë së tyre, vende diskutimi të hapur dhe ndjeshmërie ndaj të gjitha çështjeve më urgjente me të cilat përballet shoqëria dhe bota".
Më 30 gusht pritet të zhvillohet në Lido të Venecias një protestë e titulluar “Stop Genocide – Free Palestine”, ndërsa presioni mbi Bienalen për të marrë një qëndrim të qartë ndaj konfliktit po rritet.
“Bienalja të shprehet me veprime dhe qëndrime të qarta dhe të angazhohet për ndërprerjen e partneriteteve me çdo organizatë që mbështet qeverinë izraelite, drejtpërdrejt ose tërthorazi".
(A2 Televizion)