Nga deklaratat për marrëveshje të afërt, SHBA dhe Irani kaluan shpejt tek shkëmbimi i sulmeve të reja, e më pas tek kërcënimi i pezullimit të bisedimeve të paqes.
Mediat në Teheran njoftuan se vendi do të ndërpresë çdo komunikim me SHBA, në shenjë proteste kundër sulmeve izraelite në Liban.
“Ky ka qenë një prej parakushteve të armëpushimit, që tani është shkelur në të gjitha frontet, përfshirë Libanin”, thuhet në deklaratën e lexuar nga media Tasnim.
Irani bën thirrje për ndalje të menjëhershme të luftërave në Gaza dhe Liban, dhe tërheqjen e plotë të ushtrisë izraelite nga Libani.
Tasnim shton se Teherani dhe milicitë aleate të aksit të rezistencës në rajon, kanë përcaktuar në agjendën e tyre mbylljen e plotë të ngushticës së Hormuzit dhe aktivizimin e fronteve të tjera, përfshirë në ngushticën e Bab el-Mandeb në jug të Detit të Kuq.
Menjëherë më pas, presidenti amerikan zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu dhe njoftoi se luftimet në Liban do të përfundonin.
Trump në Social Truth tha: “Pata një telefonatë shumë produktive me kryeministrin Bibi Netanjahu të Izraelit. Asnjë ushtar nuk do të dërgohet në Bejrut dhe trupat që ishin nisur për të shkuar atje janë tërhequr. Në të njëjtën kohë, përmes përfaqësuesve të nivelit të lartë, pata një bisedë shumë të mirë me Hezbollahun, që pranoi se çdo sulm ndaj Izraelit do të ndalet. Izraeli nuk do t’i sulmojë ata, dhe ata nuk do të godasin Izraelin.”
Në një intervistë për NBC, presidenti theksoi se nuk ishte informuar nga Irani për pezullim të mundshëm të bisedimeve, duke shtuar se edhe nëse do të ndodhte nuk do t’i interesonte aspak.
Përshkallëzimi erdhi pasi kryeministri Benjamin Netanjahu njoftoi zgjerim të ofensivës në Liban, ku siç tha do të goditeshin objektiva terroriste në distriktin e Dahieh në jug të Bejrutit.
Mediat në Izrael shkruajnë se një sulm i shkallës së gjerë në kryeqytetin libanez ishte ndalur në minutat e fundit nga ndërhyrja amerikane.
Po ashtu, tensionet mes SHBA-së dhe Iranit u përshkallëzuan në orët e fundit, me SHBA-në që goditi zona ushtarake iraniane dhe Teheranin që u kundërpërgjigj duke shënjestruar një bazë amerikane në Kuvajt.
(A2 Televizion)