Lindja e Mesme në prag shpërthimi, Iran-SHBA ndërpresin kontaktet dhe rritet frika për luftë

Nga A2 CNN
1 Qershor 2026, 19:40 | Bota

Lindja e Mesme në prag shpërthimi, Iran-SHBA ndërpresin kontaktet

Lindja e Mesme po hyn sërish në një fazë tensionesh të larta, pas zhvillimeve të fundit që lidhen me përshkallëzimin e situatës në Liban dhe ndërprerjen e kontakteve diplomatike mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për një marrëveshje të mundshme paqeje.

Sipas raportimeve, situata është përkeqësuar pas sulmeve izraelite në Libanin jugor, në kuadër të një ofensive të zgjeruar të ushtrisë izraelite, pas marrjes së fortesës mesjetare Beaufort nga IDF. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se operacionet ushtarake do të vazhdojnë, duke urdhëruar gjithashtu goditje në periferitë jugore të Bejrutit.

Në përgjigje të zhvillimeve, Irani ka njoftuar ndërprerjen e shkëmbimit të mesazheve me SHBA-në në kuadër të përpjekjeve diplomatike për një marrëveshje të mundshme. Mediat shtetërore iraniane raportojnë se mundësia e përfundimit të armëpushimit mes Iranit dhe SHBA-së është “e lartë”, nëse sulmet izraelite në Liban nuk ndalen.

Paralelisht, Irani ka kërcënuar se mund të bllokojë Ngushticën e Hormuzit dhe të aktivizojë fronte të tjera, përfshirë Ngushticën Bab el-Mandab, në kuadër të asaj që e quan “ndëshkim” ndaj Izraelit dhe aleatëve të tij.

Tensionet gjeopolitike kanë ndikuar menjëherë edhe në tregjet ndërkombëtare. Çmimet e naftës kanë shënuar rritje të ndjeshme, ndërsa bursat evropiane kanë regjistruar rënie. Indeksi Euro Stoxx 50 ra me 0.64%, ndërsa në tregjet kryesore u shënuan këto ulje: Parisi -0.79%, Frankfurti -0.80%, Milano -0.81% dhe Londra -0.87%.

Në tregjet e energjisë, nafta bruto Brent u rrit me 6.60% duke arritur në 97.13 dollarë për fuçi, ndërsa West Texas Intermediate u rrit me 7.62% në 94.02 dollarë për fuçi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos